Një jetë me dhe për hekurudhën, Rafet Shazi 42 vite inspektor shërbimi për lëvizjen e trenave
Hekurudha shqiptare ka pasur gjithmonë njerëz që i kanë kushtuar jetën dhe punën e tyre këtij shërbimi.
Njëri prej tyre është Rafet Shazi, inspektor shërbimi për lëvizjen e trenave, i cili na rrëfen sesi ishte jeta e hekurudhës në atë kohë dhe përgjegjësitë që mbante mbi supe.
“Unë e kam filluar punën në hekurudhë në 1983-in, në detyrën funksionale si inspektor shërbimi për lëvizjen e trenave në rajonin Shkodër. Më pas, kur u ndërtua stacioni ndërkombëtar hekurudhor, sikurse ishte ai i Bazës, unë u caktova atje me përgjegjësi. Krijuam marrëdhënie të mira në atë kohë me ish-Jugosllavinë, sot Malin e Zi. Ka qenë përgjegjësi e madhe, por dhe e vështirë si punë”, theksoi ai për RTSH.
Në një rrugëtim kaq të gjatë ai kujton një moment të veçantë.
“Një nga momentet emocionuese mund të them që ka qenë kur nisa punë me linjat ndërkombëtare, sepse për atë kohë ishte një risi për mua, por dhe për Shqipërinë.”
Me përvojën e gjatë në këtë shërbim, Rafeti hedh vështrimin edhe drejt së ardhmes së hekurudhës shqiptare.
“Hekurudha ka një të ardhme shumë të ndritur dhe për shkak të teknologjisë më të fundit që është tani.”
Në fund të karrierës së tij, ai i sheh këto vite si pjesën më të rëndësishme të jetës së tij profesionale.
“Kam kaluar 42 vite të jetës sime në këtë profesion, me arritjet dhe vështirësitë e veta, por është bukur dhe emocion. Për mua është një aset.”
Mes kujtimeve dhe shpresës për të ardhmen, rrëfimi i Rafet Shazit mbetet një shembull përkushtimi që vazhdon të frymëzojë.
Gazetare: Blerta Cina
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




