Bluza me Putinin dhe simbole nacionaliste serbe, Policia e Kosovës bastis lokalin në veriun e vendit

Kosovë | 1 vit më parë

Një operacion i Policisë Kufitare të Kosovës është zhvilluar mesditën e sotme në Leposaviq, ku u bastis një lokal i dyshuar për tregtim të artikujve me përmbajtje të ndaluar.

Kontrolli, i ndërmarrë nga Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë, solli sekuestrimin e materialeve që mund të përbëjnë shkelje ligjore, përfshirë pajisje elektroshoku, bluza dhe produkte me mbishkrime të ndjeshme.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, deklaroi se janë gjetur pije, bluza, elektroshokë, materiale me logo e mbishkrime të ndjeshme, për të cilat dyshohet se përbëjnë shkelje ligjore.

“Në vendin e ngjarjes ka dalë Njësiti i Hetimeve Rajonale, me asistim të Doganës, dhe për shkak të mbishkrimeve të dyshuara është njoftuar edhe Prokuroria Speciale,” ka deklaruar Elshani.

Ai konfirmoi se deri tani nuk ka persona të arrestuar, ndërsa bastisja është ende në zhvillim.

“Pas përfundimit të saj dhe intervistimeve të nevojshme, në bashkëpunim me Prokurorin e rastit do të vendoset për veprimet e mëtutjeshme,” ka shtuar Elshani.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme