Putin, Xi dhe Kim Jong Un në paradë, Kina shfaq fuqinë ushtarake. Trump i akuzon për komplot ndaj SHBA

Botë | 1 vit më parë

Presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, kanë marrë pjesë si të ftuar nderi të Presidentit kinez Xi Jinping në paradën ushtarake të mbajtur në Pekin në nder të 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Pas shtrëngimit të duarve mes Xi, Putin dhe Kim Jong Un, udhëheqësit ecën së bashku në tapetin e kuq drejt Sheshit “Tiananmen”.

Mes këngëve patriotike para paradës ushtarake, Kina shfaqi edhe gamën e gjerë të pajisjeve të reja, duke përfshirë: një raketë të re balistike ndërkontinentale bërthamore, një raketë të re të distancave të largëta për transportimin e armëve hipersonike, një armë të re me lazer, dronë, ‘qen robotikë’ dhe tanke, përpara se shfaqja të përfundonte me fluturimin mbi sheshin e madh të dhjetëra mijëra mjeteve ajrore pa pilot.

Në fjalimin e tij, Xi i bëri thirrje popullit kinez të kujtojë fitoren në Luftën e Dytë Botërore ndaj Japonisë, duke paralajmëruar se “njerëzimi ngrihet dhe bie së bashku” dhe se Kina “nuk frikësohet kurrë nga ngacmuesit”.

Xi tha se Kina nuk do t’i harrojë kurrë qeveritë e huaja dhe miqtë ndërkombëtarë që e ndihmuan vendin t’i rezistonte agresionit. Në këtë pikë, ai nuk e veçoi SHBA-në, edhe pse Donald Trump kishte shprehur shpresën se Xi do ta falënderonte për ndihmën në përfundimin e luftës në vitin 1945.

Megjithatë, pati një mesazh të fshehur për të vetmen ekonomi botërore më të fortë se Kina.

“Forca mund të mbizotërojë për njëfarë kohe, por gjatë harkut të gjatë të historisë është arsyeja që fiton. Drejtësia, drita dhe progresi do të triumfojnë gjithmonë mbi të keqen, errësirën dhe reagimin“, tha Xi.

Por ndërsa udhëheqësit Xi, Putin e Kim Jong Un u shfaqën së bashku në paradë, presidenti amerikan reagoi në rrjetet sociale, duke i akuzuar për komplot kundër SHBA-së.

“Ju lutem, jepuni përshëndetjet e mia më të ngrohta Vladimir Putinit dhe Kim Jong Unit, ndërsa komplotoni kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shkroi Trump.

Me përfundimin e paradës po bëhen përgatitje për një takim dypalësh midis presidentit rus Vladimir Putin dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Takimi pritet të zhvillohet në Shtëpinë e Pritjes Shtetërore, “Diaoyutai”, ku priten udhëheqësit shtetërorë që vizitojnë Kinën.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme