Atentati në Shkodër – Ekzekutuan të riun duke pirë kafe, autorët mbeten në arrati
Autorët e atentatit të mbrëmjes së shkuar në Shkodër ende mbeten në arrati dhe grupi hetimor nuk ka mundur që të identifikojë se kush ishin ata që qëlluan ndaj 34-vjeçarit Kristian Kola.
Bëhet fjalë për vrasjen e regjistruar në qendër të qytetit, një nga zonat më të frekuentuara, por pritet që kamerat e sigurisë në zonë të ndihmojnë grupin hetimor për të përftuar imazhe të të gjithë personave që e kanë frekuentuar zonën në momentin e ngjarjes, para apo pas saj.
34-vjeçari ishte duke pirë kafe, kur dy autorë qëlluan në drejtim të tij duke e lënë të vdekur në vend. Autorët ishin me motor dhe skafandra në kokë, kur u afruan dhe e qëlluan disa herë. Ata u larguan nga vendi i ngjarjes pa lënë gjurmë, ndërsa plumbat e kapën të riun në pjesën e kraharorit.
Të dhënat e policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se 34-vjeçari nuk rezulton person me precedentë të mëparshëm kriminalë, por dyshohet se më herët ka qenë autor i një plagosjeje.
Blutë e Shkodrës po marrin edhe dëshminë e personave që mund të kenë qenë brenda në lokal në momentin e atentatit, si dhe ata që ishin jashtë, ku po pinte kafe edhe viktima.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




