Hapet për qarkullim aksi Qukës—Qafë-Plloçë. Rama: Lehtëson lëvizjen drejt juglindjes dhe nxit turizmin e zonës

Aktualitet | 1 vit më parë

Nga kjo e premte (5 shtator), aksi rrugor Qukës—Qafë-Plloçë është tashmë i hapur për qarkullimin e automjeteve, duke krijuar një lidhje të rëndësishme për zonën juglindore të vendit.

Ky projekt pritet të ndikojë në zhvillimin e turizmit, bujqësisë dhe agroturizmit, si dhe të lehtësojë qarkullimin.

Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë Kryeministri Edi Rama dhe Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Rama e cilësoi këtë rrugë si një projekt të vështirë dhe të vonuar ndër vite, i cili tashmë është përfunduar me sukses.

“Ky projekt u bë legjendë si rezultat i një nisjeje për së prapthi mes rrugëve të lëna rrugëve, jo vetëm do të lehtësojë qarkullimin drejt juglindjes, po dhe krijojë mundësi zhvillimi për të gjithë zonën, duke nxitur më tej bujqësinë, turizmin e agroturizmin. Është projekti më i gjatë më i stërmundueshëm, pasi u nis mbrapsht”, tha Rama.

Nga ana e saj, ministrja Balluku theksoi rëndësinë infrastrukturore të këtij projekti. Aksi ka një gjatësi prej 43 kilometrash, me dy tunele dhe katër ura, dy prej të cilave ura të varura metalike.

Gjithashtu, shtoi Balluku, ky aks është një degëzim i rëndësishëm i Korridorit 8 dhe lehtëson ndjeshëm trafikun, veçanërisht për Pogradecin dhe qarkun e Korçës.

Me përfundimin e rrugës Qukës—Qafë-Plloçë pritet të reduktohet ndjeshëm koha e udhëtimit, por gjithashtu të përmirësohet qasja në komunitetet rreth zonës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme