“Kodi i Ri Penal synon rehabilitimin, jo ndëshkimin”, kryeparlamentarja Spiropali takim në Institutin e të Miturve në Kavajë

Sociale | 1 vit më parë

Kodi i Ri Penal, që pritet të miratohet nga Kuvendi, do të ketë në qendër riedukimin dhe parandalimin e krimit në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Kështu deklaroi kryeparlamentarja Elisa Spiropali gjatë vizitës në Institutin e të Miturve dhe të Rinjve në Kavajë, zhvilluar në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës.

“Ne diskutojmë Kodin e Ri Penal, [por] duhet të mbajmë, pa diskutim, në mendje që politikat penale dhe sistemi ynë penal nuk duhet të synojë ndëshkimin, por mbi të gjitha, sidomos për të miturit, rehabilitimin dhe riedukimin, parandalimin,” tha kryetarja e Parlamentit.

Në një videomesazh, znj. Spiropali theksoi rëndësinë e investimit në parandalimin e hershëm dhe edukimin e fëmijëve, për të shmangur përfundimin e tyre në sisteme ndëshkuese, ndërsa u ndal tek frymëzimi që jep Nënë Tereza.

“Mesazhi i Nënë Terezës shkon përtej të gjitha dallimeve sociale, ekonomike, të prejardhjes. Është një mesazh që udhëton deri te të vetmuarit, të sëmurët, të izoluarit. Për të miturit dhe të rinjtë në konflikt me ligjin është me rëndësi parësore që, si politikat penale, ashtu edhe qasja riedukuese dhe e rehabilitimit, të jetë një qasje parësore,” theksoi znj. Spiropali.

Kryeparlamentarja u shpreh se Kuvendi do të bëjë gjithçka të mundur për të garantuar politika ligjore që mbështesin të rinjtë, duke i dhënë atyre një mundësi të dytë për një jetë më të mirë.

Gazetare: Rugova Dunisha

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme