Gjoba ndaj Google/ Trump: Masa ndëshkuese për BE nëse nuk tërhiqet

Botë | 1 vit më parë

Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Komisionit Europian për të gjobitur kompaninë teknologjike Google, duke paralajmëruar se nëse BE nuk tërhiqet, ai do të përgjigjet me masa tregtare ndëshkuese ndaj Bashkimit Evropian.

Trump e kritikoi vendimin në një postim në Truth Social të premten dhe tha se “Administrata ime NUK do t’i lejojë këto veprime diskriminuese të qëndrojnë”, duke iu referuar gjobës.

“Evropa sulmoi sot një tjetër kompani të madhe amerikane, Google. Kjo nuk do të mbetet pa përgjigje.”

Ai paralajmëroi se nëse Brukseli nuk heq dorë nga gjobat “të padrejta”, si ndaj Google, ashtu edhe ndaj Apple, atëherë ai do të jetë “i detyruar” të aktivizojë nenin 301, një mekanizëm ligjor amerikan që lejon vendosjen e tarifave ndëshkuese ndaj vendeve që dëmtojnë interesat tregtare të SHBA.

“Nuk mund të lejojmë që shpikësia amerikane, unike dhe e paparë, të ndëshkohet në këtë mënyrë. Nëse ndodh, do të filloj zbatimin e nenit 301 për të anuluar këto ndëshkime të padrejta ndaj kompanive tona që paguajnë taksa,” shtoi Trump.

Pak orë më parë, Komisioni Europian njoftoi një gjobë prej 2,95 miliardë dollarësh ndaj Google, duke e akuzuar për abuzim me pozitën dominuese në tregun e reklamave digjitale. Kjo është gjoba e katërt me radhë që Bashkimi Evropian i vendos gjigantit teknologjik amerikan gjatë viteve të fundit, në kuadër të hetimeve për shkelje të rregullave të konkurrencës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme