Pentagoni do të fokusohet te kërcënimet e brendshme dhe Hemisfera Perëndimore më shumë sesa te “rreziku kinez”

Amerikë | 1 vit më parë

Gjatë mandatit të tij të parë, presidenti Donald Trump i referohej Kinës si rivali strategjik më i madh i Amerikës, por një dokument i ri i Pentagonit propozon që vendi është më i kërcënuar nga aktorë të brendshëm dhe fokusi do të jetë tani te mbrojtja e Hemisferës Perëndimore.

Një draft i dokumentit në fjalë, Strategjia Kombëtare e Mbrojtjes, u raportua në fundjavë nga media amerikane “Politico” mbi bazën e informacioneve nga tre persona të paidentifikuar me emër. Drafti mësohet se iu vendos në tryezë javën e kaluar Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth. Në të, misionet për sigurinë brenda vendit dhe ato rajonale marrin më shumë përparësi sesa ndjekja e rivalëve historikë, si Moska dhe Pekini.

“Ky do të ishte një kalim tejet i madh për SHBA-në dhe aleatët e vet në shumë kontinente. Vihen në pikëpyetje premtimet e vjetra, të besueshme të SHBA-së,” tha njëri nga informatorët.

Raportet për strategjinë kombëtare të mbrojtjes jepen në fillim të çdo administrate që merr pushtetin dhe Sekretari Hegseth mund ta ndryshojë draftin aktual. Por “Politico” raporton se ndryshimet kanë filluar të vihen re. Mijëra trupa të Gardës Kombëtare amerikane po mbështesin forcat ligjzbatuese në Los Anxheles dhe në Uashington, ndërsa këtë javë, ushtria amerikane lëshoi raketa mbi anije venezualase në ujërat ndërkombëtare, duke lënë të vrarë 11 pjesëtarët e bandës Tren de Aragua, që dyshohet se po transportonin drogë.

Në kufirin jugor me Meksikën po ashtu është ngritur një zonë e militarizuar, ku civilët mund të ndalohen edhe nga ushtarët amerikanë, detyrë që më parë u takonte efektivëve të policisë.

“Po bëhet gjithnjë e më e qartë se Kina dhe Rusia duan të formojnë një botë që të jetë në përputhje me modelin e tyre autoritar,” thuhet në paragrafët hyrës të dokumentit.

Presidenti Trummp e vazhdon retorikën e tij të ashpër kundrejt Kinës, duke hedhur akuza për komplot drejt homologut kinez Xi Jinping pas paradës ushtarake dhe takimeve të kësaj jave që u zhvilluan në Pektin me liderët e Rusisë dhe Koresë Veriore, Vladimir Putin dhe Kim Jong Un.

Ndërkohë, aleatët e NATO-s po i druhen pasojave të ndryshimeve me ardhjen e Trump në Shtëpinë e Bardhë. Administrata amerikane ka paralajmëruar se do të reduktojë numrin e ushtarëve të vendosur tani në kontinentin europian. Janë rreth 80 mijë trupa që pritet të largohen nga Europa në vitet që vijnë. /Politico

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme