Konferenca e Ambasadorëve, Rama: Fokusi te integrimi në BE, të përgatisim terrenin e mbështetjes së vendimit të KiE
Në konferencën e ambasadorëve shqiptarë nëpër botë, kryeministri Edi Rama ka kërkuar prej përfaqësive tona diplomatike më shumë angazhim për të përmbushur objektivin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Gjatë fjalës së tij në konferencën “Diplo 2025”, Rama theksoi se fokusi duhet të jetë veçanërisht te vendet kryesore europiane.
“Duhet të fokusohemi te ky objektiv historik, që duhet përmbushur me sukses. Këto katër vite, të cilat përkojnë me këtë agjendë, janë katër vite ku asnjë ditë nuk duhet humbur dhe ku koha nuk pret për të përgatitur të gjithë terrenin e mbështetjes së vendimit që do të marrë Këshilli Europian për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Sa i përket negociatave, ato zhvillohen mbi bazë dypalëshe, mes Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Europian, por e gjithë atmosfera rreth tyre ka një rëndësi të vetën dhe është e ndikueshme nga faktorë të ndryshëm. Për këtë arsye është me shumë rëndësi puna e përditshme e shërbimit tonë diplomatik dhe fokusi i përgjithshëm të jetë sidomos në disa vende europiane. Nevoja për të ushqyer me energji pozitive nga Shqipëria, e politikëbërësve dhe e opinionit publik, është e një rëndësie të veçantë. Kjo konferencë zhvillohet në një moment kur kreditet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare janë më të larta se asnjëherë”, tha Rama.
Ai kërkoi forcim të shërbimit diplomatik në rajon, ku Shqipëria, sipas kryeministrit, ka interesat më të mëdha strategjike dhe “detyrimin që të jemi promotorët e paqes dhe stabilitetit”.
“Duhet vënë theksi te domosdoshmëria për ta forcuar më tej punën tonë si shërbim diplomatik në rajon në funksion të mbajtjes dhe rritjes së intensitetit të komunikimit jo thjesht me qeveritë, por të gjithë aktorët dhe faktorët politikë, institucionalë apo shoqërorë, sepse sa i përket rajonit, ne kemi interesat më të mëdha strategjikë dhe detyrimin që të jemi promotorët e paqes dhe stabilitetit. Në këtë aspekt është me rëndësi mirëmbajtja e marrëdhënieve me të gjithë faktorin shqiptar dhe përcjellja e mesazhit pozitiv dhe konstruktiv të Shqipërisë që faktori shqiptar në rajon të jetë shëmbëlltyrë e qasjes sonë të qartë si një komb i përkushtuar ndaj ardhmërisë europiane, dhe si një vend tërësisht i përkushtuar ndaj aleancës dhe partneritetit me botën demokratike, u shpreh ai.
Kritika, Rama pati sa i përket diplomacisë ekonomike dhe shërbimit konsullor. Diplomacinë ekonomike, kryeministri e konsideroi si hallkën më të dobët të shërbimit tonë diplomatik.
“Një element kyç, që mbetet hallka më e dobët e shërbimit tonë diplomatik, është diplomacia ekonomike, ku roli i përfaqësive tona është i dobët dhe ku, përjashto raste shumë specifike, kontributi është thuajse inekzistent. Kemi bërë disa herë përpjekje për të shtyrë në këtë drejtim, po rezultatet lënë shumë për të dëshiruar, ndërkohë që ky aspekt do të jetë një aspekt prioritar i përfaqësive tona diplomatike. Puna e shërbimit diplomatik në vendet europiane duhet të jetë e fokusuar te rritja e intensitetit të lidhjeve me botën ekonomike, e cila është tejet e zhvilluar në Europë dhe duke shfrytëzuar impaktin e imazhit të ri të Shqipërisë, mund të tërheqim shumë më tepër. Nga ana tjetër nuk është vetëm Europa. Kemi çuar në nivel tjetër marrëdhëniet me disa nga vendet kryesore të Gjirit dhe presim që edhe shërbimi diplomatik të ngrihet në atë nivel”, deklaroi Rama.
Edhe për diasporën dhe shërbimet konsullore, Rama tha se rezultati i deritanishëm lë shumë për të dëshiruar.
“Diaspora dhe shërbimet konsullore kane qenë në vëmendjen tonë dhe transformimi digjital i shërbimeve konsullore kanë sjellë një ndryshim domethënës në lehtësimin e barrës së shqiptarëve jashtë Shqipërisë, por ka ende shumë për të bërë. Mund ta përmirësojmë në mënyrë domethënëse shërbimin tonë konsullor. Në tërësi jemi shumë mbrapa dhe rezultati lë shumë për të dëshiruar”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.
Rama bëri me dije se do të ngrihet Akademia Diplomatike që do të bazohet në modelet më të mira europiane për të reformuar kuadrin normativ të shërbimit të jashtëm.
“Ngritja e Akademisë Diplomatike sipas modeleve më të mira europiane është një hap shumë i nevojshëm që më në fund po hidhet, ndërkohë që i domosdoshëm është edhe reformimi i të gjithë kuadrit normativ të shërbimit të jashtëm për të rritur profesionalizmin për të garantuar edukimin në vazhdim të të gjithë trupës dhe përmirësimin sistematik të burimeve njerëzore. Dhe një draft për këtë reformimin është gati dhe së shpejti në Kuvendin e Shqipërisë ne do të miratojmë të gjithë kuadrin e ri që do t’i mundësojë Ministrisë për punët e jashtme të jetë më pranë dhe më efektive në përmbushjen e nevojave të përfaqësive tona që do të rrisë kërkesën ndaj përfaqësive, por edhe mbështetjen për përfaqësitë tona diplomatike. Nevoja për të pasur një trupë të motivuar është rritu dhe për ta përmbushur siç duhet këtë nevojë dhe për ta shfrytëzuar siç duhet potencialin që kemi, duhet një motivim më i madh financiarë i trupës sonë të shërbimeve të jashtme”, theksoi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




