Lirimi i hapësirave publike, Rama ndan pamjet nga Kepi i Rodonit: U shkulën të gjitha ngrehinat e “tokës së xanun”

Aktualitet | 1 vit më parë

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetin social Facebook pamjet nga Kepi i Rodonit pas aksionit për lirimin e hapësirave publike.

Rama deklaron se pas rivendosjes së rendit ligjor, tashmë janë hequr të gjitha objektet pa leje dhe forcat xheniere po pastrojnë inertet e mbetura.

“MIRËMËNGJES dhe me rivendosjen e rendit ligjor në trupin e mrekullueshëm të Kepit të Rodonit, ku u shkulën të gjitha ngrehinat e “tokës së xanun” e ku tanimë forcat e xhenjos po pastrojnë volumet e mëdha të inerteve, si edhe me vullnetin e plotë për ta vazhduar këtë kthesë të re për Rilindjen Urbane 2.0, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Aksioni për lirimin e trotuareve nga shtesa apo objekte pa leje nisi fillimisht me Tiranën, por kryeministri siguroi se do të shtrihej në të gjithë territorin e vendit. Sipas tij, Rilindja Urbane 2.0 nuk do të tolerojë asnjë individ apo subjekt që cenon cilësinë e jetës së qytetarëve, duke zaptuar hapësira publike.

Rilindja Urbane 2.0 parashikon edhe lirimin e hapësirave në akset e rrugëve kombëtare, ku subjektet janë ftuar që të zbatojnë ligjin. Në të kundërt, do të jenë objekt i ndëshkimit dhe prishjes së strukturave të zaptuara në kundërshtim me ligjin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme