Gonzato takon kryetaren e KLP: Një sistem drejtësie i pavarur, kyç për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së

Bashkimi Evropian në Tiranë ka vendosur theksin në një sistem drejtësie të besueshëm dhe të pavarur, si një pikë kyçe për të forcuar besimin e qytetarëve dhe për të avancuar rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.
Kjo deklaratë u bë nga ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato gjatë takimit me Kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Mirela Bogdani.
Në fokus të takimit ishte edhe procedura e përzgjedhjes dhe emërimit të kreut të ri të SPAK, ku ambasadori Gonzato theksoi se BE do e ndjekë nga afër këtë proces.
“Një sistem drejtësie i besueshëm dhe i pavarur mbetet thelbësor për të forcuar besimin e qytetarëve dhe për të avancuar rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato u takua me znj. Mirela Bogdani, Kryetare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), për të diskutuar punën në të ardhmen dhe momentet kyçe që priten, përfshirë përzgjedhjen dhe emërimin e Kreut të ri të SPAK. Delegacioni i BE-së do të ndjekë nga afër këtë proces, duke vazhduar njëkohësisht të mbështesë të gjithë sistemin gjyqësor në forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe efikasitetit në të gjitha nivelet”, shkruhet në njoftimin e BE-së.
Gonzato vlerësoi gjithashtu rolin e KLP-së në garantimin e procedurave transparente dhe standardet profesionale brenda sistemit të prokurorisë.
“KLP ka një rol thelbësor në garantimin e procedurave transparente dhe të bazuara në meritë për ngritjet në detyrë, vlerësimet dhe standardet profesionale brenda sistemit të prokurorisë. Ne do të vazhdojmë të asistojmë KLP-në me ekspertizën tonë më të mirë për të ndihmuar Shqipërinë të përmbushë standardet e BE-së”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




