“Shteti ynë është unitar dhe jo multietnik, “Vetëvendosje” i drejtohet Kushtetueses për bllokimin e punimeve të parlamentit
Deputetja, Albulena Haxhiu njoftoi se Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese komentet për konstituimin e Kuvendit, pas ankesës së Listës Serbe për mos zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
Ajo tha se Lista Serbe nuk mund të bllokojë konstituimin e Kuvendit.
“Shteti ynë është unitar dhe jo multietnik. Partitë që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë nuk e kanë të drejtën e vetos për formimin e institucioneve dhe konstituimin e Kuvendit”, tha Haxhiu.
Ajo kërkoi nga Kushtetuesja që kërkesa e Listës Serbe të shpallet e papranueshme. Haxhiu theksoi se pavarësisht dalllimeve të gjitha partitë duhet të bëhen bashkë në mbrojtjen e shtetit kundrejt një subjekti politik që nuk e njeh Republikën e Kosovës e lufton atë dhe tenton të bllokojë funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës.
Nenkryetarja e Kuvendit paralajmëroi se Lëvizja Vetëvendosje nuk e voton asnjë kandidat të Listës Serbe.
“Nuk ka gjykatë që mund t’i thotë një partie politike se duhet të votosh për atë person patjetër”, shtoi ajo.
Haxhiu bëri të ditur se për qeverinë e re janë të gatshëm të vazhdojnë negociatat e takimet me Nismën e Fatmir Limaj apo edhe me ndonjë deputet të interesuar për bashkëqeverisje, por përjashtoi bisedimet me PDK-në, ndërsa përsëriti se LDK ka refuzuar ofertën e tyre.
Si zgjidhje Haxhiu përmendi edhe zgjedhjet e reja duke thënë se duhet të ecin përpara ose me qeveri të re ose me zgjedhje të reja.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




