Francë – Fëmijët nën 15 vjeç pa media sociale, propozimi nga një komision parlamentar pas 6 muajsh hetime

Ndalim të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15-vjeçare ka rekomanduar raporti i publikuar nga një komision hetimor parlamentar në Francë mbi efektet psikologjike të TikTok tek të miturit.
Kjo masë e mbështetur tashmë edhe nga Presidenti Emmanuel Macron, synon të rrisë ndërgjegjësimin e familjeve dhe të rinjve rreth rreziqeve të platformave të mediave sociale siç është edhe TikTok, të cilat përdoren gjerërisht nga adoleshentët.
“Kjo nuk është një çështje e parëndësishme”, tha deputetja Laure Miller, raportuese për komitetin hetimor, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së të rinjve nga efektet negative të medieve sociale.
“Ne në Francë duhet të jemi në gjendje të marrim sërish kontrollin mbi jetën e të rinjve tanë dhe mbi jetën tonë”, u shpreh ajo.
Rekomandimet përfshijnë gjithashtu vendosjen e një ore policore digjitale duke i bërë mediat sociale të paarritshme nga ora 22:00 deri në orën 08:00 të mëngjesit.
Masat përfshijnë edhe prindërit, ata do të përballen me “krimin e neglizhencës digjitale” dhe do të vihen para përgjegjësisë nëse nuk monitorojnë përdorimin e mediave sociale nga fëmijët e tyre.
Propozimet e fundit vijnë pas hetimeve të nisura që nga muaji mars nga komisioni hetimor parlamentar, pasi 7 familje ngritën padi kundër TikTok në vitin 2024.
Ato e akuzuan platformën e medieve sociale se i ekspozon fëmijët e tyre ndaj përmbajtjes së dëmshme, veçanërisht të lidhur me vetëvrasjen.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




