Lufta kundër migracionit të jashtëligjshëm, Italia dhe Turqia nënshkruajnë dokumentin për rritjen e bashkëpunimit mes tyre

Botë | 1 vit më parë

Italia dhe Turqia kanë rënë dakord të rrisin bashkëpunimin kundër migracionit të jashtëligjshëm, veçanërisht nga Libia.

Ministrat e jashtëm të dy vendeve nënshkruan të enjten në Romë një dokument operacional që siguron bashkëpunim më të ngushtë mes rojeve bregdetare të vendeve të tyre me qëllim luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe krimit të organizuar transkombëtar.

“Ky dokument do të jetë shumë i dobishëm, veçanërisht për sa i përket Libisë, pasi do të parandalojë nisjen e migrantëve të jashtëligjshëm drejt Europës,” u shpreh kryediplomati italian Antonio Tajani. Libia është një vend kyç transit për mijëra migrantë nisur nga Afrika dhe Lindja e Mesme me destinacion Europën.

“Do të punojmë së bashku për të trajnuar agjencitë e zbatimit të ligjit për të shpërbërë rrjetet kriminale në Mesdhe,” theksoi Tajani.

Homologu i tij turk, Hakan Fidan, shprehu vendosmërinë për të fuqizuar partneritetin strategjik mes Italisë dhe Turqisë, duke vënë ndërkohë theksin tek nevoja për të punuar drejt një procesi politik në Libi që do të garantojë qëndrueshmërinë e atij vendi.

Në muajin gusht, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan organizoi një samit në Stamboll për migrimin dhe qëndrueshmërinë në Libi, ku mori pjesë kryeministrja italiane dhe ai libian. Italia ndërkohë është pjesë e marrëveshjes së shumëdebatuar që Brukseli arriti në vitin 2016 me Turqinë për adresimin e migracionit të jashtëligjshëm, dhe nën të cilën BE-ja i ka paguar Ankarasë miliarda euro në këmbim të kthimit në territorin e saj të migrantëve të parregullt që shkojnë në Europë.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme