Serrat me kanabis në Berat, GJKKO kalon për gjykim dosja e 17 të pandehurve
Pas më shumë se tetë muajsh pritjeje, Gjykata e Posaçme shpalli vendimin për dosjen e 17 personave të akuzuar për kultivimin e kanabisit në fshatin Drenovicë të Beratit.
Trupa gjykuese me në krye gjyqtaren Flojera Davidhi pranoi kërkesën e SPAK-ut, i cili kishte çuar çështjen për gjykim që prej janarit të këtij viti.
Në qendër të procesit janë emra si Blerim Xheka, Sadetin Hasaj, Sidrit Bisha, Endriol Xheka, Jurgen Ujkaj, Suad Smakaj dhe të tjerë, të cilët dyshohet se kishin ngritur një rrjet të mirorganizuar për kultivimin e drogës.
Në këtë skemë u përfshinë edhe 93 gra, që përdoreshin si krah pune, por për to SPAK-u shpalli moskompetencë.
Hetimet zbuluan se prej dhjetorit 2021 deri në nëntor 2022, grupi kishte shfrytëzuar rreth 20 deri në 27 dynymë tokë në zonën e Rërës, ku në katër serra të mbuluara me plastmasë, kultivohej kanabisi. Aty u gjetën dhe u sekuestruan 871 kilogramë lëndë narkotike e ndarë në 769 arka plastike dhe 11 thasë, si dhe armë zjarri me municione.
Pjesëtarët e grupit, përfshirë edhe dy gra të akuzuara, kishin marrë përsipër rekrutimin e punëtorëve nga qytete të ndryshme të vendit, duke i joshur me paga të mira ditore, transport falas dhe kushte fjetjeje brenda serave të përshtatura.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




