Kallas: Shkelja e hapësirës ajrore rumune, një akt i papranueshëm

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, ka reaguar me forcë ndaj incidentit të fundit ku një dron rus hyri në hapësirën ajrore të Rumanisë gjatë një sulmi ndaj Ukrainës.
Në një deklaratë në platformën X, Kallas e cilësoi ngjarjen si “një tjetër shkelje të papranueshme të sovranitetit të një shteti anëtar të BE-së” dhe paralajmëroi se “ky përshkallëzim i vazhdueshëm i pamatur kërcënon sigurinë rajonale”.
Ajo shtoi se është në kontakt të ngushtë me qeverinë rumune dhe shprehu solidaritet të plotë me vendin, duke theksuar nevojën për reagim të koordinuar ndaj provokimeve të tilla.
Incidenti ndodhi të shtunën në mbrëmje, kur Rumania ngriti në ajër dy avionë luftarakë F-16 për të gjurmuar një dron rus që kishte depërtuar rreth 10 kilometra në territorin rumun dhe kishte qëndruar për rreth 50 minuta në hapësirën ajrore të NATO-s.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi ngjarjen si një zgjerim të dukshëm të luftës nga Rusia dhe kërkoi masa të menjëhershme nga partnerët perëndimorë, përfshirë sanksione të reja, tarifa ndaj tregtisë ruse dhe krijimin e një sistemi të mbrojtjes kolektive.
Ndërkohë, NATO ka paralajmëruar përforcimin e Krahut Lindor, përmes mbrojtjes ajrore të avancuar, vendosjes së trupave shtesë dhe përshpejtimit të vendimmarrjes për të penguar provokime të mëtejshme nga Rusia.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




