“Rubrika Sportive” rikthehet në ekranin e RTSH, moderatorja Hygerta Sako tregon risitë e sezonit të ri

Sport | 1 vit më parë

Radio Televizioni Shqiptar rikthen në ekran një nga programet më të dashura dhe më të ndjekura nga sportdashësit shqiptarë.

“Rubrika Sportive” do të nisë transmetimin sot (14 shtator), duke sjellë jo vetëm informacionet më të fundit nga fusha e sportit, por edhe analiza të thelluara, intervista ekskluzive dhe kronika të veçanta mbi ngjarjet më të rëndësishme sportive brenda dhe jashtë vendit.

Emisioni do të prezantohet nga moderatorja e njohur Hygerta Sako, e cila do të sjellë në ekran profesionalizëm dhe pasionin e saj për emisionin e njohur. Për RTSH Sport ajo tregoi emocionet e para për një trashëgimi të gjatë dhe me peshë në mediet sportive.

“Të thuash emocion është shumë pak. Është një emision që unë e kam parë që kur kam qenë e vogël fare edhe në vazhdimësi. Më pas në 2014-ën fillova ta drejtoj për 10 vite me radhë. Të drejtosh një emision për një dekadë të tërë, për më tepër një emision që ti e ke dashur gjithmonë, të bëhet pjesë e jotja. Të rikthehesh edhe një herë nën këtë logo për mua është jo vetëm emocion, kënaqësi, por edhe një përgjegjësi shumë e madhe. Realisht e kam me shumë merak që të ofrojmë një ‘Rubrikë Sportive’ në edicionin e 55-të sa më interesante, sa më të bukur dhe për të gjithë familjen,” u shpreh Sako.

Ky sezon do të jetë me shumë risi. Publiku do të ketë mundësinë të ndjekë jo vetëm rezultatet dhe statistikat e javës, por edhe historitë që fshihen pas sportistëve, ekipeve dhe sfidat e tyre.

“Kemi menduar ta sjellim me një format të ri. Do të rikthehemi te gjashtë të ftuarit plus specialistët e moviolës. Do të jemi me të ftuar të përhershëm, specialistët. Do të jetë edhe Superiorja në fokus të ‘Rubrikës Sportive’. Patjetër Kombëtarja, Kategoria e parë… Do të merremi me kampionatet e huaja, por do të kemi një bisedë pak më me humor, pak më të lirshëm, për të sjellë jo atë analizën akademike, por për të qenë pak më të këndshëm që të mos ulen vetëm burrat përpara ekranit për të parë ‘Rubrikën Sportive’, por të ulet e gjithë familja. Kemi punuar shumë, së bashku me redaktorët përgjegjës dhe me kryeredaktorin e kanalit, dhe realisht mezi pres të fillojmë,” tha moderatorja e emisionit.

“Rubrika Sportive” mbetet një pikë referimi për të gjithë ata që duan të jenë të informuar dhe të afruar me botën e sportit, duke e kthyer RTSH-në sërish në shtëpinë e sportdashësve shqiptarë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme