Rikthimi i ish-drejtorit të AMP Vlorë në detyrë, Rama denoncon gjyqtarin Boshku

Aktualitet | 1 vit më parë

Kryeministri Edi Rama ka denoncuar publikisht vendimin e gjyqtarit Marko Boshku për rikthimin në detyrë të ish-drejtorit rajonal të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) Vlorë.

Drejtuesi ishte larguar nga detyra për një ndërtim pa leje në Ksamil. Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Rama e quan rastin “skandaloz”.

“Pa asnjë gajle fare, gjykatësi Boshku, ka vendosur të kthejë fishek në detyrë një shkelës brutal të ligjit dhe mashtrues të kapur me presh në duar, e për pasojë edhe të larguar nga detyra e të çuar në prokurori! Rasti është i ububushëm! Si drejtues rajonal i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore – pra i trupës që ligji ngarkon për të kontrolluar veprimet dhe garantuar integritetin e Policisë së Shtetit – një birbo pa din e pa iman, jo vetëm kishte marrë pjesë në një ndërtim pa leje në Ksamil (i denoncuar nga njerëzit e zonës), po edhe kishte mashtruar me shkrim, duke pretenduar legalizimin e ndërtimit, me gënjeshtrën se ndërtimi ishte bërë në 2018-ën. Por fotot satelitore nxorën bishtin e gjatë të gënjeshtrës, duke provuar se ndërtimi është bërë shumë kohë pas vitit 2020; vit që sipas ligjit është edhe viti i fundit për marrjen në shqyrtim të kërkesave për legalizim,” shkruan kryeministri.

Ai thotë se vendimet e gjyqtarit Boshku do t’i përcillen Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, përmes Ministrisë së Drejtësisë.

Kryeministri ka dhënë edhe një mesazh të qartë për gjyqtarin në fjalë, por edhe çdo gjykatës tjetër.

“Kush tallet me interesat e shtetit dhe përqesh ligjin, duke e përdorur pavarësinë e drejtësisë si pavarësi nga vetë drejtësia, e duke dhënë vendime haptazi të paligjshme në dëm të interesit publik, do të përballet me keqbërjen e vet jo vetëm në organet e lartpërmendura të vetëqeverisjes së gjyqësorit, po edhe në sytë e opinionit publik,” përfundon Rama.

Gazetare: Rugova Dunisha

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme