Debati për ndryshimet e rregullores së Kuvendit, Berisha akuza Peleshit: Je sekretar i Edi Ramës, po shkelmoni Kushtetutën

Ish-kryeministri dhe njëherësh kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar maxhorancën socialiste se po “shkelmon” Kushtetutën, pas kërkesës së PS-së për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, për ristrukturimin e komisioneve të përhershme parlamentare.
“Shkelmimi i Kushtetutës, është shkelmim i vullnetit të qytetarëve shqiptarë të të gjithë spektrit, shkelmimi i Kushtetutës është një puç që i bëhet librit të shtetit, vetëm e vetëm se ju doni me shpejtësi të lani duart si Ponç Pilati pas krimit që kryeni.
Si ka mundësi, a keni ju, çfarë të thuash, njerëz që lexojnë Kushtetutën? A ke ti këshilltarë që paguan që të të lexojnë ty Kushtetutën dhe rregulloren e parlamentit, e cila për parlamentin është Kushtetuta e parlamentit, është ligji më i rëndësishëm i vendit, pas Kushtetutës. Pra, aq peshë sa ka parlamenti në jetën e një shteti dhe të vendit”, u shpreh Berisha.
Nga foltorja e Kuvendit, Berisha hodhi akuza edhe në drejtim të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
“Nuk je gjë tjetër, vetëm një sekretar mjeran i kreut të organizatës kriminale të Shqipërisë, që e ka emrin Edi Rama”, tha Berisha.
Mes debatesh Kuvendi miratoi me votat e mazhorancës ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, duke rritur numrin e komisioneve të përhershme parlamentare nga 8 në 11, 7 prej të cilave e ka drejtimin mazhoranca dhe 4 do të drejtohen nga opozita.
Futja në Kuvend me procedurë të përshpejtuar e ndryshimeve të rregullores së Kuvendit, solli përplasje mes opozitës e mazhorancës. Demokratët kundërshtuan miratimin e këtyre ndryshimeve pa gjithëpërfshirje, duke e konsideruar si shkelje të Kushtetutës. Nga ana e saj, mazhoranca argumentoi se ndryshimet janë të domosdoshme për rritjen e efikasitetit në punën parlamentare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




