Trump padit “NY Times” për shpifje, kërkon 15 miliardë dollarë dëmshpërblim për dëmtim imazhi
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paditur gazetën “The New York Times”, katër gazetarë të saj dhe shtëpinë botuese “Penguin Random House”, duke kërkuar dëmshpërblim prej të paktën 15 miliardë dollarësh.
Në padi, Trump pretendon se ka qenë viktimë e shpifjeve të qëllimshme që kanë dëmtuar rëndë imazhin dhe bizneset e tij. Ai i referohet disa artikujve të gazetës, përfshirë një editorial para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, ku thuhej se ai nuk ishte i denjë për postin e presidentit, si dhe një libri të titulluar “Humbësi me fat”, që sipas tij përmban fyerje dhe të pavërteta.
Në dokumentin zyrtar thuhet se “të pandehurit kanë publikuar me dashakeqësi materiale të rreme, duke ditur që ishin shpifje”.
Sipas avokatëve të tij, këto botime kanë ulur vlerën e markës “Trump” dhe kanë shkaktuar dëme të mëdha financiare.
Në një reagim në rrjetin Truth Social, presidenti Trump shkroi: “Kam nderin të paraqes padinë 15 miliardë dollarëshe kundër New York Times për shpifje”. Ai i akuzon gazetarët se kanë gënjyer për të, për familjen dhe për lëvizjet politike që ai udhëheq, si “Make America Great Again” dhe “America First”.
Padia vjen pas raportimeve të gazetës për një vizatim me përmbajtje seksuale që Trump dyshohet se i kishte dhuruar Jeffrey Epsteinit, financierit të ndjerë të dënuar për krime seksuale.
Trump ka deklaruar se është shkëputur nga Epstein para vitit 2006, shumë kohë përpara se ai të përballej me drejtësinë.
Më herët këtë vit, presidenti ka paditur edhe “Wall Street Journal” dhe botuesin Rupert Murdoch, duke kërkuar 10 miliardë dollarë për përmendjen e emrit të tij në një urim për ditëlindjen e Epsteinit në vitin 2003. Po ashtu, në muajin korrik, Trump fitoi një marrëveshje ligjore me kompaninë “Paramount”, pronare e rrjetit CBS, pas një padie ku ai pretendonte se ishte keqinterpretuar në një intervistë të transmetuar në “60 Minutes”.
Përplasja e presidentit me mediat është thelluar në mandatin e tij të dytë, ndërsa ai akuzon botuesit kryesorë se po përhapin gënjeshtra për ta dëmtuar politikisht.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




