Dosja Veliaj-Xoxa, GJKKO cakton më 29 shtator seancën paraprake
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka caktuar më 29 shtator, në orën 12:00, zhvillimin e seancës paraprake për kryebashkiakun e arrestuar Erion Veliaj, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe 28 të tjerë të pandehur. Gjyqtarja e caktuar për këtë seancë është Etleva Deda.
Seanca do të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim apo jo.
Në dosjen e dërguar nga SPAK për gjykim, mbi Erion Veliajn rëndojnë 13 akuza, ndërsa mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxën, 12 akuza. Akuza përfshijnë korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Sipas hetimeve, Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim, kanë përvetësuar në mënyrë të paligjshme para dhe pasuri të paluajtshme nga subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, të cilat nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Veliaj ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për një masë më të butë sigurie, duke shënuar herën e dytë që kundërshton arrestin në burg.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




