Dita e Kushtetutës së SHBA, VanHorn: Kushtetuta është më shumë se dokument ligjor

Ambasada amerikane në Tiranë organizoi një pritje zyrtare për të përkujtuar Ditën e Kushtetutës së SHBA.
E Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, deklaroi se Kushtetuta është më shumë se një dokument ligjor dhe se ajo përfaqëson një premtim të gjallë për mbrojtjen e të drejtave individuale, ndarjen e pushteteve dhe lirinë e shprehjes.
“Kushtetutat ndërtohen mbi parime thelbësore për një demokraci funksionale: mbrojtja e të drejtave individuale, ndarja e pushteteve, liria e fjalës dhe sundimi i ligjit. Këto parime nuk janë thjesht ideale abstrakte; ato janë themeli i besimit midis qeverive dhe popujve të tyre. Ato sigurojnë që drejtësia të zbatohet në mënyrë të drejtë, që pushteti të jetë i balancuar dhe të drejtat e çdo individi të respektohen”, tha e ngarkuara në Punë.
VanHorn shtoi më tej se gjyqtarët, prokurorët, anëtarët e shoqërisë civile dhe një shtyp i lirë janë rojtarët e të drejtave të çdo qytetari shqiptar.
“Gjyqtarët, prokurorët, anëtarët e shoqërisë civile dhe një shtyp i lirë janë rojtarët e të drejtave të çdo qytetari shqiptar. Ju keni fuqinë të siguroni që drejtësia të mos jetë thjesht një fjalë, por një realitet për të gjithë shqiptarët. Keni përgjegjësinë të mbroni drejtësinë, transparencën dhe llogaridhënien. Kjo punë kërkon guxim, guximin për të marrë vendime të vështira, për të rezistuar ndaj korrupsionit dhe për të qëndruar të palëkundur përballë trysnisë”, theksoi ajo.
Pjesëmarrës në takim ishin politikanë, krerë të drejtësisë, gazetarë e përfaqësues të shoqërisë civile.
Gazetare: Jonida Omeri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



