Ministri Malaj pret delegacionin e Parlamentit Evropian: Shqipëria e gatshme të menaxhojë fondet e BE-së me transparencë

Ekonomi | 1 vit më parë

Ministri i Financave, Petrit Malaj, priti sot në një takim një delegacion deputetësh nga Parlamenti Evropian, Komiteti i Kontrollit Buxhetor, i cili kryesohej nga Niclas Herbst.

Qëllimi i kësaj vizite në vendin tonë, u shpreh ministri, është vlerësimi i krijimit të mekanizmave të kontrollit dhe auditimit për Facilitetin për Reforma dhe Rritje, si një instrument i ri i bazuar në performancë, i projektuar për të nxitur dhe përmirësuar reformat.

Gjatë takimit, ministri i Financave i ka njohur nga afër eurodeputetët me ecurinë e ekonomisë shqiptare, duke theksuar rritjen e qëndrueshme, ruajtjen e parametrave makroekonomikë dhe fiskalë, si dhe përpjekjet për reduktimin e mëtejshëm të borxhit publik, të gjitha këto të arritura përmes zbatimit të një sërë reformash të nevojshme dhe planeve konkrete të veprimit.

“I njoha eurodeputetët me ecurinë e ekonomisë shqiptare, si dhe me reformat që po ndërmarrim në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.”

Më tej, Malaj vuri në dukje progresin e Shqipërisë në menaxhimin e financave publike, konfirmuar vazhdimisht nga vlerësime ndërkombëtare inkurajuese si SIGMA dhe PEFA.

Malaj theksoi rëndësinë e forcimit të kontrollit të brendshëm dhe auditimit, për të garantuar përdorimin e drejtë, transparent dhe efikas të fondeve të Bashkimit Evropian.

Ministri Malaj shprehu angazhimin e Ministrisë së Financave për të avancuar me reformat, duke synuar të garantojë transparencë, integritet dhe efikasitet në përdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian.

“Ky është një hap i rëndësishëm që jo vetëm forcon besueshmërinë e institucioneve, por dëshmon se Shqipëria është në gjendje të menaxhojë fonde të mëdha të BE-së me përgjegjësi, seriozitet dhe transparencë,” përfundon Malaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme