Europa drejt sanksioneve për Iranin, Macron: Bisedimet me Teheranin ishin jo serioze, vendimi merret këtë muaj

Botë | 1 vit më parë

Fuqitë europiane pritet të rikthejnë sanksionet ndërkombëtare ndaj Iranit në fund të këtij muaji, pasi bisedimet e fundit me Teheranin u vlerësuan si të pasuksesshme nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Në një intervistë për një televizion izraelit, Macron u shpreh se “lajmi më i ri nga iranianët nuk është serioz” dhe shtoi se rikthimi i sanksioneve është thuajse i sigurt.

Britania, Franca dhe Gjermania, të njohura si grupi E3, nisën një proces 30-ditor në gusht për të aktivizuar mekanizmin e OKB-së që lejon kthimin automatik të masave ndëshkuese.

Këto shtete kërkuan që Irani gjatë shtatorit të lejonte inspektorët ndërkombëtarë në objektet bërthamore dhe të angazhohej në dialog me SHBA-në për të shmangur vendimin. Në këmbim, ato ofruan shtyrjen e sanksioneve për deri në gjashtë muaj.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi tha se “Teherani paraqiti një plan të arsyeshëm për të shmangur krizën, por nuk dha detaje të tjera”. Sipas tij, propozimi i Iranit merr parasysh shqetësimet reale të palëve dhe është në interes të ndërsjellë. Megjithatë, diplomatët konfirmuan se nuk është arritur ndonjë përparim i dukshëm.

Të mërkurën u zhvillua një telefonatë mes ministrave të jashtëm të grupit E3, përfaqësueses së BE-së dhe homologut iranian, por diskutimet nuk dhanë rezultat konkret.

OKB do të votojë këtë të premte një rezolutë që mund t’i heqë përfundimisht sanksionet Iranit, por diplomatët thonë se nuk priten votat e mjaftueshme. Edhe nëse sigurohen, rezoluta mund të bllokohet nga vetoja e SHBA-së, Britanisë ose Francës.

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme