Rëndësia e syzeve të diellit – Syzet cilësore mbrojnë shikimin në çdo moshë

Sociale | 1 vit më parë

Ekspozimi i përditshëm ndaj rrezeve të diellit, veçanërisht gjatë ditëve me diell të fortë, përbën një rrezik serioz për shëndetin e syve. Dinore Korbi, optimetre , thekson se përdorimi i xhamave të thjeshtë apo i syzeve të pasigurta, jo vetëm që nuk ofron mbrojtje, por mund të dëmtojë akoma më shumë shikimin.

“ Rrezet janë të rrezikshme dhe si për të rriturit dhe të vegjlit rekomandohet që patjetër të mbaj syze. Por nëse nuk mban syze që nuk janë të mira ti i dëmton më shumë sesa po ndihmon vetën.”

Mbrojtja më e mirë vjen nga përdorimi i syzeve të diellit cilësore, të cilat ofrojnë mbrojtje të plotë ndaj rrezeve UVA dhe UVB. Xhamat e errët bëjnë që bebëza të zgjerohet, por nëse mungon filtri UV, rrezatimi depërton më thellë dhe dëmton strukturat e brendshme të syrit.

“Nëse nuk është e mirë, më e mira është të jesh pa syze sepse zoti e ka bërë mbrojtjen e syrit por nëse ti do vendosësh diçka që është e zezë, bebja do zmadhohet dhe më shumë rreze të këqija do të futen brenda. Për fëmijë dhe për të rritur , nëse do të mbaj syze duhet ti mbajmë cilësore”

Sytë e fëmijëve janë veçanërisht të ndjeshëm dhe thithin më shumë rreze UV. Prandaj, prindërit këshillohen të zgjedhin gjithmonë syze të certifikuara, të përshtatshme për madhësinë dhe formën e fytyrës së fëmijëve, për të garantuar mbrojtje maksimale.

Rrezet ultraviolet (UV), të cilat janë pjesë e padukshme e spektrit të dritës së diellit, njihen për efektet e dëmshme që kanë jo vetëm mbi lëkurën, por edhe mbi sytë. Ekspozimi i zgjatur dhe i pambrojtur ndaj këtyre rrezeve mund të çojë në probleme serioze të shikimit, si katarakti apo degjenerimi makular.Për këtë arsye, specialistët rekomandojnë mbrojtje të vazhdueshme, sidomos gjatë stinës së verës, kur intensiteti i rrezeve UV është më i lartë.
Shkurte Elezaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme