“Veliaj bën show”, Gjikondi: Ligji nuk i jep të drejtë një të paraburgosuri të dalë
Teksa të martën pritet shkarkimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, juristja Brizida Gjikondi e konsideron një “show” përpjekjen e kryebashkiakut për të marrë pjesë në proces.
Avokatët e Veliajt përsëritën të hënën kërkesën e tij për të qenë i pranishëm si një e drejtë kushtetuese për t’u dëgjuar, mbrojtur dhe për të shprehur qëndrimin e tij.
Sipas znj. Gjikondi, në kushtet kur Veliaj është i izoluar në burg, ligji nuk ia njeh atij lejen për t’u larguar nga ambienti i paraburgimit ku ai qëndron prej muajit shkurt.
“Që prej vitit 2020, në Shqipëri është një ligj që quhet ligji për të drejtat dhe trajtimin e të paraburgosurve, ku janë të paracaktuara shprehimisht të gjitha arsyet, shkaqet dhe mënyra si jepet leja për të lëvizur një i paraburgosur nga ambienti i tij. Në nenin 73, thotë: ‘Leja e veçantë për të paraburgosurin jepet nga drejtori i institucionit me pëlqimin paraprak të prokurorit të çështjes, dhe leja përfitohet vetëm në këto raste: në rast të sëmundjeve të rënda, në rast të sëmundjeve të rënda të anëtarëve të familjes, të ngjarjeve të rëndësishme familjare (vdekje, lindje, martesa), si dhe në rastet e dhënies së provimit nga vetë i dënuari.. Kaq! Nuk ka ligji shqiptar që t’i japë të drejtë një të paraburgosuri për të shkuar të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit, të biznesit apo aksionerëve,” tha znj. Gjikondi.
Juristja shprehu mendimin se Veliaj duhet të kishte ndjekur rrugën ligjore përmes drejtorit të paraburgimit në Durrës, me aprovimin e prokurorit të çështjes së tij, të cilëve duhet t’u shkruante përpara se t’i referohej institucionalisht Këshillit Bashkiak për pjesëmarrjen e tij në mbledhjen e 23 shtatorit.
“Fredi Beleri edhe në Gjykatën Kushtetuese e humbi gjyqin për të bërë betimin përpara Bashkisë së Himarës pikërisht sepse ia ndalonte ligji që ai të dilte nga ambienti ku ishte, ku po vuante dënimin, për të bërë këtë gjë. Është taksative! Mund të ndryshohet ligji, por ky nuk mund të shkelet. ‘Show’ më i madh është: ai është një pozicion politik që nga momenti që z. Rama në datën 11 shtator e shkarkoi, sepse është vendim politik. Vendosi edhe kush do e zëvendësojë. Për mua, e gjitha kjo që po ndodh mbrapa është kakofoni. Ai aty ka qenë nga Partia Socialiste. Votat i ka marrë nga Partia Socialiste. Ka 7 muaj që nuk është më në punë,” u shpreh znj. Gjikondi.
Sipas saj, rasti i Veliaj ndryshon nga ai i kryedemokratit Sali Berisha, i cili u përball për disa muaj me një arrest shtëpie që ia pamundësoi pjesëmarrjen në parlament.
“Z. Berisha është 1 në 140. Është një institucion kolegjial. Nuk është se do e dëmtonte punën mosvajtja e z. Berisha në Parlament. Kurse kryetari i bashkisë është monokratik. Ai është titullari i domosdoshëm për të firmosur, për të orientuar, për të udhëzuar, për të kontrolluar. Ky është një konflikt politik që PD-ja shumë mirë që po e shfrytëzon dhe po i hedh dru zjarrit,” tha ajo në emisionin “3D” nga Alban Dudushi në RTSH 1.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




