OBSH dhe BE kundër Trump: “Paracetamoli dhe vaksinat janë të sigurta, nuk lidhen me autizmin”

Bashkimi Evropian, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe autoritetet shëndetësore britanike kanë reaguar pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili një ditë më parë e lidhi përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe vaksinimin në fëmijëri me rritjen e rasteve të autizmit.
Organizatat ndërkombëtare theksojnë se nuk ka asnjë provë shkencore që mbështet këto pretendime.
Agjencia Evropiane e Barnave tha se paracetamoli vazhdon të jetë i sigurt për përdorim gjatë shtatzënisë, kur është i domosdoshëm, duke theksuar se nuk ka të dhëna të reja që të kërkojnë ndryshim të rekomandimeve.
Në të njëjtën linjë qëndron edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila deklaroi se “dëshmitë janë të papërputhshme dhe nuk tregojnë lidhje të qartë mes përdorimit të paracetamolit dhe autizmit”.
Sipas OBSH-së ka pasur disa studime që kanë ngritur dyshime, por asnjë nuk ka vërtetuar lidhje shkak-pasojë. Në deklaratën e saj, OBSH i bëri thirrje publikut dhe institucioneve të tregojnë kujdes me përhapjen e informacionit të paprovuar, sidomos kur bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve dhe grave shtatzëna.
Edhe rregullatori shëndetësor britanik konfirmoi se paracetamoli është i sigurt për t’u përdorur, duke këshilluar që të merret në dozat më të ulëta dhe vetëm kur është e nevojshme.
Deri më tani, të gjitha institucionet ndërkombëtare të shëndetësisë mbështeten në të dhëna që tregojnë sigurinë e paracetamolit dhe efikasitetin e vaksinave. Shkenca ka qenë e qartë, janë shprehur ata: nuk ka asnjë lidhje të provuar mes paracetamolit, vaksinave dhe autizmit.
Ndërkohë, mjekët u bëjnë thirrje prindërve të mos ndikohen nga deklarata politike dhe të konsultohen me profesionistët e shëndetit.
Gazetar: Artur Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




