Kuvendi – Opozita: Të diskutohet programi i qeverisë, na u mohua fjala. Balla: Dhunuat seancën e kaluar

Procesverbali i seancës plenare të 18 shtatorit, ku mazhoranca miratoi me votat e saj programin qeverisës “Shqipëria 2030”, ka nxitur diskutime në mbledhjen e sotme (24 shtator).
Deputetët opozitarë deklaruan se procesverbali nuk reflekton situatën në seancën e javës së shkuar, duke kërkuar përsëritjen e saj për të diskutuar mbi programin e qeverisë. Po ashtu, opozita akuzoi kryeparlamentarin Niko Peleshi për shkeljen e rregullores duke i mohuar fjalën kreut të grupit parlamentar demokrat.
“Akti i vetëm që kjo seancë mund të bëjë për atë procesverbal është ta hedhë në kosh të plehrave seancën dhe procesverbalin. Ajo do mbetet në arkivat e këtij shteti si procesverbali më i turpshëm dhe ky turp do mbulojë ata të cilët e zhvilluan një seancë si ajo. Ti [Peleshi] shënove rekordin më të zi në historinë e parlamentarizmit shqiptar, ndaj riktheje seancën. Të mos e kthejë Gjykata Kushtetuese, por Parlamenti. Ata që kanë frikë të dalin para qytetarëve, të ikin”, tha kryedemokrati Sali Berisha.
Edhe deputetja Jorida Tabaku përsëriti kërkesën e opozitës për diskutimin e programit të qeverisë.
“Duhet sqaruar ajo që ndodhi në shkelje të parlamentit. Kreu i grupit parlamentar kërkoi fjalën për procedurë për të diskutuar programin e qeverisë dhe fjala nuk u dha. Në procesverbalin që keni paraqitur kjo nuk reflektohet. Është hera e parë në 34 vite që qeveria kalon e miratohet pa diskutuar programin e qeverisë. Kemi bërë kërkesë për të diskutuar edhe njëherë programin e qeverisë. Shqiptarët s’mund të lihen në hije për programin. për të diskutuar prioritetet tuaja dhe ato të opozitës. Kjo lidhet me procesverbalin, zbardhjen e seancës së kaluar, por dhe kërkesë procedurale. Hera e parë, dhe s’doni ta mbani këtë njollë si kryetar parlamenti”, deklaroi Tabaku.
Në të njëjtën linjë ka vijuar edhe deputeti Belind Këlliçi, i cili e konsideroi të paprecedentë situatën e krijuar në seancën e 18 shtatorit.
“Ju s’mund ta kaloni këtë seancë sikur gjithçka është normale. Ne do hedhim procesverbalin për votim dhe s’mund t’u shfaqim qytetarëve situatën sikur ka demokraci funksionale në Parlament. Ai procesverbal që doni të hidhni për votim, nuk reflekton situatën e ndodhur javën e kaluar në këtë seancë. Në momentin që anonçuat 5 minuta pushim, i njoftuat zyrtarisht sallës se kreu i grupit parlamentar të PD do merrte fjalës sapo të riniste seanca. Në shkelje të premtimit tuaj, ju i dhatë fjalën kreut të grupit të PS. Ajo që ndodhi në këtë seancë javën e kaluar është e paprecedentë. Vetëm 25 minuta diskutim, pa dëgjuar fjalën e deputetëve të PD është njollë turpi për Kuvendin dhe ju si kryetar Kuvendi. Procesverbali nuk reflekton të vërtetën”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar Socialist tha se deputetët e opozitës po shkelnin rregulloren e Kuvendit, pasi fjala për procesverbalin e seancës së kaluar, duhet t’u jepet vetëm atyre deputetëve që kanë shprehur mendim në atë seancë. Ai akuzoi opozitën për “dhunim dhe prishjen e solemnitetit” të seancës së kaluar.
“Kërkoj që deputetëve parafolës t’u kujtohet që janë në shkelje të hapur të rregullores së Kuvendit. Ky moment procedural i seancës është i rregulluar nga rregulloja e Kuvendit. Në procesverbalin e seancës së kaluara, nuk më rezulton që ndonjëri nga deputetët parafolës të kenë folur në seancën e kaluar. Ndaj fjala duhet t’i jepet vetëm atyre deputetëve që kanë dhënë një mendim në seancën e kaluar. Këta nuk kanë pas ndonjë mendim, mund të kenë pasur ndërmend të shprehin ndonjë mendim, por pasi dhunuan seancën, prishën solemnitetin e një seance të rëndësishme, vijën pas një jave dhe kërkojnë të japin mendim. Kemi kaluar sot me konsensus në Konferencën e Kryetarëve përbërjen e komisioneve, në respekt të konsensusit në Konferencën e Kryetarëve, të kalojmë në votim për përbërjen e komisioneve”, tha Balla.
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi tha se në seancën e kaluar u kalua direkt në votim pasi opozita nuk lejoi kryeministrin dhe deputetët që të flisnin. Ai madje propozoi që kjo të përfshihet edhe në rregullore, që të kalohet direkt në votim në rast se deputetët nuk do të lejohen të flasin.
“Në atë procesverbal dhe në rregulloren e Kuvendit të shkruhet edhe një rregull që këtu vihet për të folur dhe jo për t’u zënë dhe për të bllokuar foltoren. Tani në shërbim të kujtesës së deputetëve në sesionin e kaluar, ajo që ndodhi, votimi, nuk ishte hera e parë që ndodh në këtë parlament ndaj mos bëni sikur po habiteni. Në sesionin e kaluar vinit një orë patra dhe bllokonit foltoren, vendosnit karriget dhe ne kemi ardhur dhe kemi votuar sepse ju nuk lejonit diskutimin parlamentar. Kjo ndodhi edhe në seancën e kaluar, nuk u lejua Kryeministri dhe deputetët të flisnin, ndaj kaluam në votim. Kjo duhet të jetë një normë, në rast se deputetët nuk lejohen të flasin, duhet të kalojmë në votim”, u shpreh Klosi.
Pas debateve opozita-mazhorancë, kjo e fundit ka miratuar vetëm me votat e saj procesverbalin e mbledhjes së 18 shtatorit. Opozita ka votuar kundër këtij procesverbali.
Në seancën e sotme plenare, Kuvendi miratoi edhe përbërjen komisioneve të përhershme parlamentare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




