Ekskluzive! Gentjan Shaqiri rrëfen emocionet pas kurorëzimit të dytë si kampion në FIA Hill Climb: Krenari të promovoj motosportin shqiptar

Sport | 1 vit më parë

Dy herë kampion i Europës Qendrore në motosport, Gentjan Shaqiri ndau emocionet e tij me shikuesit e RTSH-së, pas një sezoni të jashtëzakonshëm që e vendosi mes emrave më të mëdhenj të garave automobilistike në kontinent.

I ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH 1 HD, kampioni i sapokurorëzuar tha se ky triumf nuk është thjesht një arritje sportive, por një shembull i përkushtimit dhe disiplinës.

“Sapo u rikonfirmuam kampion i Europës Qendrore në FIA, kategoria ‘Hill Climb’, pas një sezoni triumfues,” tha Shaqiri, duke theksuar se ky sukses e rendit atë krah legjendave si Christian Merli. Ai fitoi titullin kontinental në një nga garat e FIA-s për Zonën e Europës Qendrore (CEZ).

“Ky është viti i tretë që përfunduam me sukses, duke u rishpallur kampion për kategorinë 2, Grupi ‘Proto 4’, sepse FIA ka disa kategori dhe makina me shpejtësi të ndryshme. Ka qenë një vit shumë pozitiv. Nuk kemi pasur shumë surpriza nga pikëpamja mekanike. Makina na ka funksionuar në mënyrë perfekte.”

Shaqiri theksoi se disiplina dhe përkushtimi janë thelbësore jo vetëm në garat automobilistike, por edhe në çdo aspekt të jetës. Me më shumë eksperiencë dhe një grup më të koordinuar, ai triumfoi në garën e fundit në Kroaci, ku morën pjesë 247 pilotë nga e gjithë Europa. Ai shpjegoi edhe mënyrën se si shpallen kampionët në kategorinë Proto 4.

“FIA ka më shumë se 25 vjet që ka miratuar kampionatin e Europës Qendrore, që quhet FIA-CEZ (FIA Central European Zone), ku marrin pjesë pilotë nga Polonia, Italia, Kroacia, Mali i Zi, Serbia, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Çekia, Hungaria, etj. Të gjithë pilotët e këtyre 16 vendeve kanë mundësi të marrin pjesë në këtë kampionat. Unë prej tre vitesh jam regjistruar dhe kam bërë gara rregullisht për të maksimalizuar pikët dhe për të arritur tek titulli kampion.”

Më tej ai shtoi se qëllimi i tij nuk është vetëm të shpallet kampion, por edhe të promovojë motosportin shqiptar dhe t’i tregojë Europës se edhe Shqipëria ka potencial në këtë disiplinë.

“Përpara se të shkojmë në garë,” tha ai, “ne studiojmë pistën, shohim nga afër kthesat nga të dyja krahët, si duhet të jetë konvergjenca, cilat goma performojnë më mirë, si duhet të jetë telemetria e motorit.”

Ai ndau edhe detaje për makinën me të cilën garon, duke theksuar se ajo mund të kategorizohet si Formula 3. “Mjafton të kujtojmë që Kimi Raikkönen në vitin 2000 ka qenë kampion me këtë kategori,” tha Shaqiri.

Megjithatë, ai pranoi se për të ndjekur rrugëtimin drejt Formula 2 dhe më pas Formula 1, nevojiten sponsorë dhe buxhet i madh, deri në 2,5 milionë euro në vit.

“Këto shifra për ne janë të paperceptueshme, ndaj unë do të qëndroj tek kategoria Hill Climb Championship,” u shpreh ai.

Duke treguar ambiciet për vitin e ardhshëm, kampioni shqiptar i FIA Proto 4 theksoi: “Qëllimi im për vitin e ardhshëm është të marr një makinë më të re dhe më të fuqishme, më performante dhe më kompetitive, për t’u ngjitur në kategoritë e tjera – duke shkuar në Proto 3, apo Proto 2, apo maksimumi Proto 1 që janë makina më të shpejta. Pra, objektivi ynë është që të hyjmë në një tjetër kategori me synimin që të dalim kampion.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme