Gara për Bashkinë e Tiranës – Opozita në kërkim të kandidatit, PS e bindur për fitore
Në të njëjtat ambiente ku demokratët nisën takimet për përzgjedhjen e kandidatit për zgjedhjet e pritshme vendore të Tiranës po zhvillohej rastësisht një takim i deputeteve të Partisë Socialiste, ku ishte e pranishme edhe kandidatja e PS-së, Ogerta Manastirliu dhe drejtuesja politike për Tiranën, Belinda Balluku.
“Ne e kemi kandidaten e Tiranës, kështu që i uroj suksese Partisë Demokratike, se ata janë edhe të zotët shumë kur i gjejnë kandidatët. Faleminderit!” u shpreh znj. Balluku.
“Ishim në takim për fuqizimin e grave dhe vajzave,” shtoi znj. Manastirliu.
“Ne kemi potenciale dhe kandidatura të denja dhe dinjitoze, por ne nuk mund t’i japim kurrë Tiranës një njeri si ‘Mis Kovidi’. Të paraqesësh një kandidaturë të tillë do të thotë të fyesh dhe t’i poshtërosh shqiptarët,” deklaroi z. Flamur Noka.
Demokrati, i cili kryeson grupin negociator të PD-së me anëtar Belind Këlliçin dhe Ilir Alimehmetin, zgjodhi të nisë takimet me aleatët tradicionalë, Fatmir Mediu dhe Agron Duka, tha se Partia Demokratike është e gatshme për negociata me çdo forcë politike që është opozitare.
“Takimi është me të gjitha partitë parlamentare. [Arlind] Qori është parti e majtë radikale. Ne flasim për parti të qendrës. Për partitë parlamentare ne nuk kemi asnjë vijë të kuqe për asnjërin nga ta,” u shpreh z. Noka.
Negociatat do të vijojnë edhe me parti që nuk janë aleate me demokratët. Në varësi të kandidaturës përbashkuese, ku nuk përjashtohet që PD-ja të miratojë edhe propozime nga negociatat, do të jenë forumet e PD-së ato që do të vendosin për të mbajtur ose jo primare për këtë garë.
Ndërkaq demokratët në këto bisedime kanë në fokus jo vetëm Tiranën, tha z. Noka, por edhe përzgjedhjen e kandidatëve të disa bashkive të tjera të vendit, që pritet të hyjnë në zgjedhje bashkë me kryeqytetin.
Gazetare: Anisa Kadesha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




