Programi bërthamor-Pas OKB-së, BE sanksione shtesë ndaj Iranit

Botë | 1 vit më parë

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur sot se ka rivendosur sanksione të gjera ndaj Iranit për shkak të programit të tij bërthamor, pasi Kombet e Bashkuara rivendosën masat e tyre gjithëpërfshirëse. 

“Sot, BE-ja rivendosi sanksionet kundër Iranit për shkak të mosrespektimit të vazhdueshëm të marrëveshjes bërthamore. Dera për negociata diplomatike mbetet e hapur,” thuhet në një deklaratë të presidencës së BE-së. 

Bashkimi Evropian deklaroi se sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve të Bankës Qendrore Iraniane dhe bankave të tjera iraniane, si dhe ndalime udhëtimi për disa zyrtarë iranianë. 

Gjithashtu, BE-ja ndaloi blerjen dhe transportin e naftës bruto nga Irani, si dhe shitjen ose furnizimin me ar dhe pajisje të caktuara detare. 

OKB-ja ndërmori këtë hap gjatë fundjavës pasi fuqitë perëndimore aktivizuan mekanizmin e ashtuquajtur “snapback” nën marrëveshjen bërthamore të vitit 2015. 

Sanksionet e rivendosura nga blloku me 27 vende përfshijnë masat e OKB-së që ndalojnë veprimtaritë bërthamore dhe balistike të Teheranit. 

Teherani i ka cilësuar si “të pajustifikuara” rivendosjen e sanksioneve të OKB-së.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme