Raporti i Greenpeace: Franca, Belgjika dhe Spanja shpenzojnë më shumë për gazin rus se sa për ndihmat për Ukrainën

Europë | 1 vit më parë

Franca, Belgjika dhe Spanja kanë shpenzuar më shumë për gazin natyror të lëngshëm rus (LNG) sesa për ndihmat për Ukrainën që nga fillimi i luftës në 2022.

Kwshtu bwhet e ditur nga raporti i grupit mjedisor Greenpeace Belgium të publikuar të martën.

Raporti zbuloi se këto tre vende, së bashku me Holandën, përbënin 95% të importeve të LNG-së në Bashkimin Evropian dhe paguan 34.3 miliardë euro (40.2 miliardë dollarë) për LNG-në ruse midis 2022 dhe mesit të 2025, krahasuar me 21.2 miliardë euro në mbështetje bilaterale për Kievin.

Franca ishte blerësi më i madh me 12.75 miliardë euro, e ndjekur nga Spanja (9.5 miliardë euro) dhe Belgjika (6.21 miliardë euro).

Belgjika dha 3.2 miliardë euro ndihmë për Ukrainën, Spanja 1.47 miliardë euro dhe Franca 7.56 miliardë euro. Holanda ishte i vetmi vend që shpenzoi më shumë për ndihma (8.99 miliardë euro) sesa për LNG-në ruse (5.84 miliardë euro).Sipas raportit, porti belg i Zeebrugge është bërë pika kryesore e hyrjes për LNG-në ruse në BE, duke trajtuar rreth një të katërtën e të gjithë vëllimit.

Importet përmes terminalit arritën 3.3 miliardë metra kub në gjysmën e parë të 2025, duke e vënë atë në rrugën për të thyer rekordet e mëparshme, pavarësisht ndalimit të BE-së për rieksporte.

Gjithashtu, raporti vuri në dukje rritjen e varësisë së BE-së nga LNG-ja amerikane, duke theksuar se blerësit evropianë kanë nënshkruar një valë kontratash afatgjata që nga 2022.

Greenpeace paralajmëroi se kjo mund të zëvendësojë një varësi me një tjetër, duke bërë thirrje për një tranzicion të shpejtë drejt energjisë së rinovueshme.

Komisioni Evropian ka propozuar ndërprerjen e importeve të karburanteve fosile ruse deri në vitin 2027, ndërsa një paketë e re sanksionesh synon të ndalojë importet e LNG-së ruse deri në 2026.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme