Parametrat e sigurisë rrugore – Nis përafrimi i legjislacionit me atë të BE, edukim rrugor që në parashkollor

Aktualitet | 1 vit më parë

Rritja e parametrave të sigurisë rrugore dhe përafrimi i tyre me standardet e Bashkimit Evropian,  pritet që të sjellë një strategji të re shumë institucionale për uljen e numrit të aksidenteve, të viktimave dhe të plagosurve, por edhe rritjen e cilësisë së infrastrukturës rrugore.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjinë ka nxjerrë për konsultim një strategji konkrete, për të cilën priten ekspertizat e ekspertëve të fushës me qëllim rritjen e sigurisë në rrugët e vendit.

Strategjia synon qasjen “Vizioni Zero”, të fataliteteve dhe lëndimeve të rënda, si pasojë e aksidenteve rrugore brenda vitit 2050.

Strategjia për Sigurinë Rrugore 2030 do të ndjekë parimet e Qasjes së Sistemit të Sigurt duke u fokusuar te përmirësimi i menaxhimit të sigurisë rrugore, infrastruktura më e sigurt, automjetet, përdoruesit e rrugës dhe reagimet ndaj aksidenteve.

Qëllimi është të reduktojë fatalitetet nga qarkullimi rrugor me 50% deri në vitin 2030, në krahasim me shifrat e vitit 2021.

Prioritetet kryesore përfshijnë forcimin e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë rrugore përmes trajnimeve, shtimit të personelit dhe përmirësimit të pajisjeve, si dhe përmirësimin e infrastrukturës, sigurisë së mjeteve dhe përdoruesve të rrugës.

Do të vendoset një bashkërendim i rregullt, ndarje e të dhënave dhe bashkëpunim ndërmjet palëve të interesit, së bashku me një alokim më të mirë të fondeve në nivel kombëtar dhe vendor.

Është thelbësore të përmirësohet mbledhja e të dhënave, monitorimi dhe kërkimi shkencor, me një fokus të veçantë në promovimin e mënyrave më të sigurta të transportit, siç janë transporti publik, ecja dhe çiklizmi, me qëllim uljen e fataliteteve dhe mbështetjen e mobilitetit të qëndrueshëm.

Siguria e infrastrukturës rrugore në Shqipëri do të përmirësohet përmes zbatimit të plotë të procedurave të sigurisë rrugore të Bashkimit Evropian, duke u dhënë përparësi shpejtësisë së sigurt, përdoruesve të rrezikuar të rrugës dhe mirëmbajtjes së planifikuar më mirë. 

Një Sistem i ri i Menaxhimit të Sigurisë Rrugore, i bazuar në të dhënat për aksidentet dhe gjendjen e rrugëve, do të udhëheqë investimet në zonat me risk të lartë, ndërsa masa të menjëhershme me kosto të ulët dhe ndërhyrje më të mëdha do të adresojnë pikat kritike. Siguria rrugore në nivel bashkiak duhet të fokusohet tek përdoruesit e rrezikuar përmes masave të synuara për qetësimin e trafikut, përmirësimet në zonat ku ka shkolla dhe angazhimin aktiv të komunitetit vendor.

Kufijtë e shpejtësisë do të pasqyrojnë parimet e Sistemit të Sigurt, të mbështetura nga monitorimi dhe ndërgjegjësimi publik. Kapaciteti institucional do të forcohet përmes trajnimit të ekspertëve, njësive të dedikuara dhe përfshirjes së komunitetit.

Pritet ritet që edukimi për sigurinë rrugore duhet të integrohet në të gjitha fazat e jetës, që nga parashkollorët deri në moshën e tretë.

Plani Strategjik i Veprimit BE-së për Sigurinë Rrugore është pjesë e Paketës së Tretë të Mobilitetit të BE-së, duke përcaktuar masa dhe objektiva për periudhën 2021-2030.

Shqipëria regjistroi 197 vdekje në vitin 2021, ndërsa në vitin 2024, 175 vdekje në rrugë.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme