“Hetim i paligjshëm”, Veliaj mesazh për publikun: Kurth ndaj meje, jam ende i fortë kundër të ligës

Nga ambientet e izolimit, ku edhe ndodhet prej 10 shkurtit, Erion Veliaj ka ndarë një tjetër deklaratë publike, që sipas tij nuk është hakmarrje, por një mesazh për një hetim të paligjshëm.
“Po postoj për të gjithë, rrëfimin e parë të një serie rrëfimesh, nga ata që, me ose pa dashje, kontribuan në kurthin e ngritur ndaj meje, që prodhoi një hetim të paligjshëm nga anonimati, një vetting 20-vjeçar të të gjithë jetës sime nga rinia, një Kryeqytet të sabotuar teksa ishte në kulmin e suksesit, një persekutim çnjerëzor të familjes sime, e një izolim grotesk, si të isha kriminel lufte apo drejtues kartelesh. Ndaj, secili duhet ta lexojë apologjinë noteriale të Gabriele Tarroni Longinotti-t, si leksion për të ardhmen”
– Për italianin, që as më njeh e as e njoh, por që nisi një zinxhir jetëshkatërrues ngjarjesh, që të kuptojë se nuk jam hakmarrës, por ai dhe kushdo tjetër këtu në Shqipëri, duhet të kuptojë që fjalët kanë peshë, e kur janë të rreme thyejnë karriera, qytete e familje, që do duan dekada të rikuperohen.
– Për të tjerët, që u bënë me vetëdije apo me zell politik pjesë e këtij fabrikimi. Dua t’u them se unë jam i burgosur, por nuk jam në burg. Jam i qetë dhe i çliruar në ndërgjegjen time. Shpresoj që të keni fuqi të çliroheni nga burgu i ligësisë suaj ku keni mbyllur veten, pasi e vërteta e rrëfimi do t’ju bëjë të lirë!” shkroi Veliaj.
Veliaj thekson se me këtë deklaratë kërkon të japë një mesazh në emër të drejtësisë së re, në vijim të përballjes së tij me ligjin.
“Por, më e rëndësishmja e bëj për çdo shqiptar që jeton me frikë mos përgjohet, kërkon linjë të sigurt të flasë me të shtëpisë, kthen kokën pas mos po e ndjekin, vë gishtin mbi buzë se mos dëgjohet, apo fsheh telefonin poshtë vitheve në karrige! Shqipëria nuk është një koloni penale dhe s’duhet lejuar kurrë kjo re e zezë frike që ka kapluar vendin në emër të drejtësisë së re. “Jam më i fortë e më i vendosur se kurrë në betejë me të ligën”,” theksoi Veliaj.
Vendimin e shkarkimit të tij nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e ka ankimuar tashmë në Gjykatën Kushtetuese.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




