Pasojat e mbylljes së qeverisë, Shtëpia e Bardhë do të nisë shkarkimin masiv të punonjësve federalë

Botë | 1 vit më parë

Mbyllja e qeverisë amerikane ka nisur të sjellë pasojat. Administrata Trump njoftoi se do të fillojë të pushojë nga puna punonjësit federalë, pasi të mërkurën  republikanët dhe demokratët në Kongres nuk arritën të bien dakord për një plan të ri shpenzimesh brenda afatit.

Republikanëve u duhet mbështetja e të paktën 7 demokratëve për të zhbllokuar situatën, por ka pak shenja që secila palë të jetë e gatshme të bëjë kompromis.

Në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, zëvendëspresidenti JD Vance akuzoi demokratët se po bëjnë lojëra politike.

“Nëse janë kaq të shqetësuar për efektin që ky bllokim ka tek populli amerikan, dhe duhet të jenë, ajo që duhet të bëjnë është të rihapin qeverinë, jo të ankohen për mënyrën se si reagojmë” tha ai duke bërë me dije se nëse situata  zgjat, shumë punonjës do të përballene me pushim të përhershëm nga puna.

“Shkurtimet masive të vendeve të punës do të ndodhnin brenda dy ditësh, ndonjëherë disa gjëra je i detyruar t’i bësh”, tha Sekretarja e Shtypit, Karoline Leavitt duke akuzuar demokratët se janë ata që i kanë në këtë pozitë.

Si pjesë e mbylljes së qeverisë edhe në shenjë hakmarrjeje, administrata  Trump ngriu 26 miliardë dollarë fonde për shtetet e drejtuara nga demokratët.

Këta të fundit duan të sigurojnë garanci për financimin e kujdesit shëndetësor përpara se të bien dakord për një marrëveshje shpenzimesh, ndërsa republikanët duan të përdorin një masë të përkohshme për ta mbajtur qeverinë të hapur deri në mesin e nëntorit.

Sipas këtyre të fundit përparësi është mbajtja e qeverisë hapur dhe jo përfitimet e kujdesit shëndetësor.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme