Mbyllja e qeverisë amerikane rrezikon 750 mijë punonjës federalë, Trump zhvillon takim me Drejtorin e Buxhetit Russ Vought

Botë | 1 vit më parë

Presidenti Donald Trump deklaroi të enjten se do të zhvillojë një takim me Drejtorin e Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, Russ Vought, për të përcaktuar se cilat “agjenci demokratike” duhet të shkurtohen, ndërsa mbyllja e qeverisë amerikane ka hyrë në ditën e dytë.

“Sot kam një takim me Russ Vought, të njohur nga projekti ‘Project 2025’, për të vendosur se cilat nga shumë agjencitë demokrate – shumica prej tyre një mashtrim politik – ai rekomandon të shkurtohen, dhe nëse këto shkurtime do të jenë të përkohshme apo të përhershme,” shkroi Trump në platformën Truth Social.

Sipas Zyrës së Buxhetit të Kongresit, rreth 750 mijë punonjës federalë mund të preken nga pushimet nga puna. Ndërkohë, një memo e shpërndarë nga zyra e Vought javën e kaluar u kërkonte agjencive të përgatisin plane për reduktime të mëdha të fuqisë punëtore, në rast të një mbylljeje të zgjatur.

Vought informoi republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve të mërkurën se shkarkimet masive do të fillonin “brenda një ose dy ditësh”.

Politico shkruan se, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë po përpiqen ta paraqesin këtë si një hap të disiplinuar dhe të nevojshëm për reformimin e administratës, ndërsa demokratët kërkojnë zgjerimin e subvencioneve të sigurimeve shëndetësore si kusht për mbështetjen e një rezolute të përkohshme buxhetore.

“Nëse janë kaq të shqetësuar për efektin që kjo ka tek populli amerikan – dhe duhet të jenë – atëherë duhet të rihapin qeverinë,” tha zëvendëspresidenti JD Vance në një konferencë shtypi të mërkurën. “Të mos ankohen për mënyrën se si po reagojmë ndaj faktit që Chuck Schumer dhe demokratët e mbyllën qeverinë që në fillim.”

Trump ka lënë të kuptohet se e mirëpret mundësinë për shkurtime të vendeve të punës.

“Nuk mund ta besoj që Demokratët e Majtë Radikalë më dhanë këtë mundësi të paparë,” shkroi ai. “Ndoshta kjo është mënyra e tyre për të dashur që, në heshtje dhe shpejt, ta bëjnë Amerikën të madhe përsëri!”

Ndërkohë, Vought ka paralajmëruar shkurtimin e fondeve federale për qytetet dhe shtetet të udhëhequra nga demokratët.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme