Përurohet rruga Gorozhup–Pogaj: Synohet lidhja e fshatrave ndërkufitarë dhe lëvizja e lirë e njerëzve
Sot, fshati Gorozhup i Kosovës është lidhur me rrugë të asfaltuar me fshatin Pogaj në Shqipëri, në një zonë ku dikur ndodhej një kufi zyrtar, i njohur për ndarjen e përgjakshme mes dy komuniteteve. Rruga që bashkon dy fshatrat është realizuar në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë autoritete vendore dhe banorë të zonës, si dhe Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Petrit Malaj, prefekti i Qarkut të Kukësit, Dritan Baji, kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti, dhe deputetë nga të dyja Kuvendet e Shqipërisë dhe Kosovës.
Ky është një investim prej 1 milion eurosh nga qeveria e Kosovës, pjesë e një serie projektesh ndërkufitare që synojnë lidhjen e zonave kufitare mes dy vendeve.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi rrugën ndërkufitare si “arterie vendimtare për qarkullimin e lirë”.
Ai theksoi rëndësinë e saj për banorët lokalë, si dhe për zhvillimin e turizmit malor dhe kulturor në të dy republikat.
“Kjo është një pjesë e vogël e borxhit të madh që kemi ndaj këtij komuniteti, që i ka dhënë shumë zhvillimit ekonomik dhe historisë sonë kombëtare,” tha Kurti.
Ai shtoi se pas përfundimit të rrugës Kërstec–Pakishtë–Zapot, me vlerë 2.6 milionë euro, rruga Gorozhup–Pogaj, me gjatësi 3.7 kilometra, është një tjetër hap konkret drejt lidhjes fizike mes dy vendeve.
Ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, kujtoi se dy vite më parë është nënshkruar protokolli për tri rrugë, Kërstec–Pakishtë–Zapot, Gorozhup–Pogaj dhe Dobrunë–Blinishtë, të cilat janë pjesë e kësaj marrëveshjeje.
Ambasadori i Shqipërisë, Petrit Malaj, e cilësoi inaugurimin si hapje të një kapitulli të ri në dobi të kombit.
“Do të vazhdojmë përsëri me komunikimet e përbashkëta ndërmjet dy qeverive, që të lidhim akoma më tepër njerëzit tanë. Gjaku të rrjedh në damarët tanë ashtu siç duhet. Ne nuk jemi fqinj, ne jemi një komb,” u shpreh Malaj.
Ndërkohë, kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti, tha se Hasi ka realizuar ëndrrën disavjeçare për bashkimin e trojeve hasjane
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




