“Tema e Ditës” në RTSH, Maks Haxhia: Vrasja e gjyqtarit Kalaja, krim i paprecedentë. Siguria si një “han pa porta”

Aktualitet | 1 vit më parë

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja ka shkaktuar reagim në sistemin e drejtësisë. I ftuar në emisionin “Tema e Ditës” në RTSH, në moderimin e gazetarit, Arbër Hitaj, avokati i njohur dhe Kryetar i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, e cilësoi ngjarjen si “të paprecedentë” dhe “të tmerrshme” për një vend që synon integrimin në BE.

Haxhia theksoi se kjo tragjedi është një pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhencës së vazhdueshme ndaj sistemit tonë shtetëror, i cili, sipas tij, kujtohet për gjyqësorin vetëm “kur ndodh ngjarja dhe kur paguhet me pasoja të tilla të rënda”.

Avokati i njohur shtoi se kjo situatë e rënduar e sigurisë lidhet me një klimë të rënduar politike.

“Është e tmerrshme se si në një shoqëri që pretendon të integrohet në BE, të ndodhin krime të tilla… Janë shkaqe që kanë të bëjnë me një klimë të rënduar të politikës. Një reflektim i të gjithë mbarsjes së opinionit me vlerësimin që i bëjnë sistemit të drejtësisë dhe diskutimit të çdo vendimi,” tha Haxhia.

Ai theksoi se kjo tregon se shoqëria jonë është e “mbarsur me urrejtje” dhe se diskutimi i vazhdueshëm dhe denigrimi i çdo vendimi gjyqësor kontribuon në këtë klimë dhune.

Haxhia e cilësoi çështjen e sigurisë si një “han pa porta”. Ai lidhi drejtpërdrejt vrasjen e gjyqtarit me reformat e fundit të miratuara.

“E harruat hartën e re gjyqësore?! Kjo është një nga pasojat e hartës gjyqësore,” theksoi Kryetari i Dhomës së Avokatisë, duke deklaruar se se ristrukturimi i sistemit ka lënë pasoja të rënda në sigurinë dhe funksionimin e drejtësisë.

Haxhia ka kërkuar të kontaktohen edhe avokatët pjesëmarrës në proceset e gjyqtarit Kalaja, për të parë qëndrimin e tyre, në një përpjekje për të kuptuar më mirë rrethanat dhe për të ndërtuar një panoramë të plotë të situatës së sigurisë për njerëzit e drejtësisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme