Ndërprerja e importit të naftës dhe gazit rus-BE paraqet planin ndaj Moskës

Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian ranë dakord të paraqesin planin e unionit për të ndërprerë importet e naftës dhe gazit rus deri në vitin 2028 për shqyrtim të mëtejshëm nga ministrat.
Sipas Reuters, ky hap shënon përparimin e parë politik të planit drejt miratimit, dhe qeveritë kombëtare pritet të votojnë për të më vonë gjatë këtij muaji.
BE-ja po negocion propozime legjislative për një ndërprerje graduale të importit të naftës dhe gazit rus deri në janar 2028, me qëllim privimin e Kremlinit nga të ardhurat që financojnë luftën kundër Ukrainës.
“Gjatë një takimi të mbyllur të mërkurën, ambasadorët e BE-së ranë dakord të paraqesin projektligjin për miratim nga ministrat në seancën e 20 tetorit”, thanë tre diplomatë për Reuters.
Ata shtuan se pothuajse të gjitha vendet e BE-së shprehën mbështetje për planin, duke treguar gjasa të larta për miratim, pavarësisht kritikave nga Hungaria dhe Sllovakia.
Diskutimet teknike përpara votimit të 20 tetorit janë ende në vazhdim.
Një çështje e pazgjidhur është nëse dërgesat e gazit të lëngshëm (LNG) në Evropë duhet të kërkojnë autorizim paraprak dhe verifikim të origjinës nga doganat pas mbërritjes në portet e BE-së, për të siguruar që gazi nuk është me origjinë ruse.
Sipas propozimit, importet e gazit rus me kontrata të reja do të përfundojnë në janar 2026, me kontrata afatshkurtra ekzistuese në qershor 2026, dhe me ato afatgjata në janar 2028.
Aktualisht, vende si Hungaria, Franca dhe Belgjika vazhdojnë të importojnë gaz rus, i cili përbën rreth 12% të importeve totale të gazit në BE.
Ligji do të kërkojë nga Hungaria dhe Sllovakia të hartojnë plane kombëtare për të ndërprerë këto furnizime deri në 2028.
Miratimi i planit do të kërkojë një shumicë të kualifikuar të shteteve anëtare të BE-së.
Pas miratimit, Këshilli dhe Parlamenti Evropian do të nisin negociatat për tekstin përfundimtar të projektligjit.
Gjithashtu, BE-ja po negocion paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë, e cila do të ndalonte importet e gazit të lëngshëm një vit më herët, nga janari 2027.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




