Arie Haan dhe Rud Krol vizitojnë kuqezinjtë në prag të sfidës me Serbinë

Evente Sportive | 1 vit më parë

Kombëtarja shqiptare pati në stërvitjen e radhës dy vizitorë të veçantë. Ish-trajneri i Kombëtares, Arie Haan dhe ish-futbollisti i njohur holandez, Ruud Krol u takuan me trajnerin Sylvinho, stafin teknik të Kombëtares si edhe me disa nga futbollistët kuqezi me të cilët shkëmbyen disa batuta.

Gjatë bashkëbisedimit, Arie Haan dhe Ruud Krol i uruan trajnerit Silvinjo dhe lojtarëve suksese në sfidat e tetorit dhe në kualifikueset e Botërorit 2026. Gjithashtu, ata patën mundësi të vizitonin ambientet e Shtëpisë së Futbollit dhe të njihen me muzeun e futbollit.

Ky event i organizuar në bashkëpunim mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Ambasadës së Holandës në Shqipëri çel Javën Kulturore Holandeze në Shqipëri, e cila përkon me 55 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike të dy vendeve.

Ky event do të ketë në fokus një ndeshje legjendare futbolli. Në vitin 1970, klubi i Ajax luajti kundër Tiranës (në atë kohë 17 Nëntori) në një ndeshje, e cila përfundoi në barazim historik 2-2 në atë që mbahet mend si një nga duelet më të famshme të futbollit në epokën komuniste të vendit.

Dy ish-futbollistët holandezë, Arie Haan dhe Ruud Krol, ishin pjesë të Ajax-it të famshëm dhe luajtën në atë ndeshje ndaj klubit kryeqytetas. Eventi parashikon një konferencë për mediat me pjesëmarrjen e Presidentit të FSHF, Armand Duka si edhe një ekspozitë me foto dhe arkiva të asaj ndeshjeje.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme