Nga duart e nënave te raftet e qilarëve- Zahiretë e dimrit, një zakon që vijon në Kolanec të Maliqit
Në Kolanecin malor të qytetit të Maliqit, dimri nuk i kap të papërgatitura zonjat e fshatit. Zahireja përgatitet me dashuri e durim, në çdo shtëpi, ku aroma e turshive, e reçelrave dhe e salcave mbush oborret dhe kuzhinat.
Gratë e zonës, të njohura për mjeshtërinë e tyre, ruajnë ende zakonet e vjetra të përgatitjes së zahireve. Duke ruajtur traditat e vjetra, të mësuara nga nënat edhe gjyshet e tyre, në raftet e qilarëve të tyre ndodhen të renditura kavanozat me ngjyra, shishet me verë të bërë në shtëpi, uthulla, e deri tek petkat dhe dromkat, gjithçka që mban aromën e punës dhe të bashkimit familjar.
“Nuk ka dimër pa zahire këtu në Kolanec”, thonë zonjat e fshatit, duke kujtuar se këto ushqime nuk janë vetëm nevojë, por edhe kujtim i brezave që kanë ditur të jetojnë me natyrën.
“Është koha që përgatitim zahiretë tani për dimër”, thotë amvisa Vera Kolli.
Në Kolanec, përgatitjet e dimrit janë më shumë se traditë, janë pjesë e identitetit, një mënyrë për të ruajtur shijen, kujtesën dhe shpirtin e vendit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




