Shqipëria mposht 0-1 Serbinë në Leskovac, festë në kryeqytet! Begaj: Ndeshje që do të mbahet mend gjatë

Sport | 1 vit më parë

Pas fitores historike të kombëtares shqiptare ndaj Serbisë me rezultatin 1-0 në Leskovac, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar përmes një mesazhi, duke përshëndetur performancën e kuqezinjve. Në një postim në Facebook, Begaj e konsideron ndeshjen e sotme (11 tetor) si historike dhe “fitore të flamurit kuqezi”

“Shqipëri – Serbi 1: 0. Kombëtarja jonë solli gëzim dhe krenari në çdo zemër shqiptare sonte! Një ndeshje që do të mbahet mend gjatë, fitorja e flamurit kuq e zi!”, shkruan Presidenti Begaj

Kombëtarja shqiptare ka triumfuar ndaj Serbisë me rezultatin 0-1 në stadiumin “Dubocica” të Leskovacit, duke ndezur festën në çdo cep të Tiranës. Goli i fitores u shënua nga Rey Manaj në fundin e pjesës së parë, pas një aksioni të shpejtë që përfundoi me një goditje të saktë në rrjetë.

Fitorja e kuqezinjve vjen në një moment kyç për kualifikueset e Botërorit 2026, duke i dhënë Shqipërisë një pozicion të fortë në grup.

Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, kryeqyteti shpërtheu në festë. Tifozët u mblodhën në sheshet kryesore, me flamuj kuqezi, fishekzjarre dhe brohoritje. Këngë patriotike dhe atmosfera elektrizuese e kthyen Tiranën në një festë kombëtare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme