Lufta Rusi-Ukrainë, Zelensky: Biseda me Trump ishte produktive

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka deklaruar sot se ka zhvilluar bisedën e dytë brenda dy ditëve me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, duke i cilësuar diskutimet si “shumë produktive” lidhur me luftën kundër Rusisë, aftësitë ushtarake të Ukrainës dhe sektorin e energjisë.
Në një postim në platformën ‘X’, Zelensky shkruan se ka biseduar me presidentin Trump mbrojtjen e jetës në Ukrainë, forcimin e mbrojtjes ajrore, qëndrueshmërinë dhe aftësitë për goditje në distancë të gjata.
Ai shtoi se u diskutuan “shumë detaje” rreth sektorit të energjisë, pa dhënë më tej sqarime për temat e trajtuara.
“Presidenti Trump është i informuar mirë për gjithçka që po ndodh. Ne ramë dakord të vazhdojmë dialogun tonë, dhe ekipet tona po bëjnë përgatitjet e nevojshme”, shkroi Zelensky në ‘X’.
Bisedimet mes Trump dhe Zelenskyt vijnë në një kohë kur Moska vazhdon të godasë Ukrainën me dronë dhe raketa, duke plagosur të paktën 20 persona në Kiev dhe duke shkaktuar ndërprerje të mëdha të energjisë.
Rusia ka sulmuar rrjetin elektrik të Ukrainës, me qëllim dëmtimin e infrastrukturës energjetike para dimrit, një taktikë e përdorur çdo vit nga Moska.
Sulmi i fundit vjen ndërsa Rusia shprehu “shqetësimin ekstrem” për mundësinë që SHBA-ja të furnizojë Ukrainën me raketa Tomahawk.
Muajin e kaluar, Trump ushtroi ndikim të ri në luftën Rusi-Ukrainë, duke lejuar Ukrainën të përdorë armë amerikane për të goditur thellë në territorin rus, duke shqyrtuar mundësinë e furnizimit të Kievit me raketa Tomahawk dhe duke u zotuar se Ukraina mund të rimarrë të gjithë territorin e saj.
Në një intervistë ekskluzive për emisionin “The Sunday Briefing” të Fox News, të transmetuar të dielën, Zelenskyy shprehu shpresën se suksesi i Trump në ndërmjetësimin e armëpushimit Izrael-Hamas është një shenjë se një rezultat i ngjashëm mund të arrihet me Rusinë për luftën në Ukrainë.
“Ky sukses në Izrael na jep sinjale dhe shpresë se me presionin që Presidenti Trump përdori në Lindjen e Mesme për të sjellë paqen, shpresoj që ai do të përdorë të njëjtat instrumente, madje më shumë, për t’i bërë presion presidentit rus Vladimir Putin që të ndalojë luftën në Ukrainë”, tha Zelensky.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




