Ndërtimi i “Parkut të Besimit” në Tiranë i besohet studios daneze, “Bjarke Ingels Group” fiton garën ndërkombëtare

Është shpallur fituesi i garës ndërkombëtare për “Parkun e Besimit” (“Faith Park”), një projekt vizionar që synon të kthejë harmoninë ndërfetare në një eksperiencë të prekshme, përmes natyrës.
Në ceremoninë përmbyllëse, studioja ndërkombëtare BIG – Bjarke Ingels Group, u përzgjodh mes 12 finalistëve nga vende të ndryshme, si Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Danimarka, Gjermania, Spanja, Meksika, Belgjika, Holanda dhe Italia.
“Parku i Besimit” do të ndërtohet mbi idenë e bashkëjetesës dhe dialogut ndërfetar, duke u frymëzuar nga elementët simbolikë të përbashkët të feve të mëdha, të shprehur përmes pemëve, frutave dhe luleve të përmendura në shkrimet e shenjta. Ky projekt do të zhvillohet brenda Kalasë së Petrelës, për të shërbyer si një pikë takimi për reflektim, qetësi dhe ndërveprim kulturor.
“Është një projekt që presim me padurim ta përpunojmë, ta kultivojmë e ta sjellim në diçka që e meriton rolin e asaj çka quajmë një ‘Park Besimi’, që është një strehë e shtëpi për të gjitha besimet,” tha drejtuesi i studios daneze, Bjarke Ingels.
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në shpalljen e fituesit, theksoi rëndësinë e projekteve të tilla që nxisin bashkëjetesën dhe frymën qytetare: “Do të doja të kishim mundësi për më shumë parqe të tilla.”
Nisma për këtë projekt është ndërmarrë nga Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC) në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT).
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




