Sejko: Rritje e qëndrueshme dhe integrim evropian, perspektivë pozitive me nevojë për reforma strukturore

Ekonomi | 1 vit më parë

Gjatë prezantimit të raportit vjetor për vitin 2024 në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat të Kuvendit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se ekonomia shqiptare pritet të vijojë me ritme të qëndrueshme rritjeje në afatin e mesëm, duke krijuar kushte për përmirësimin e tregut të punës, rritjen e pagave dhe mirëqenien e qytetarëve.

Sejko theksoi angazhimin e Bankës për transparencë dhe llogaridhënie, duke vënë në dukje objektivat për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe zhvillimin e tregjeve financiare.

Sipas tij, ekonomia shqiptare u rrit me 4% në vitin 2024, e mbështetur nga konsumi familjar, investimet private dhe të ardhurat nga turizmi. Kjo tendencë pozitive vijoi edhe në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, me një rritje prej 3,6%.

Ai vuri në dukje se viti 2024 shënoi një moment historik për sistemin financiar shqiptar me pranimin e Shqipërisë në juridiksionin e Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).

“Një nga momentet kyçe të vitit 2024 ishte pranimi i Shqipërisë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), më 21 nëntor, duke shënuar një hap konkret drejt integrimit financiar me Bashkimin Evropian. Ky zhvillim konfirmon përputhjen e legjislacionit shqiptar me standardet evropiane në fushën e pagesave dhe mbikëqyrjes financiare.Ky vendim shënon një hap konkret drejt integrimit të vendit në tregun evropian dhe konfirmon nivelin e lartë të pajtueshmërisë ligjore të Shqipërisë me Bashkimin Evropian në fushën e pagesave dhe mbikëqyrjes financiare.”

Duke analizuar ecurinë ekonomike, Sejko tha se, “Vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 4% gjatë vitit 2024, i mbështetur nga zgjerimi i konsumit familjar, i investimeve private, si dhe nga rritja e mëtejshme e të ardhurave të turizmit. Kahu pozitiv i zhvillimit të ekonomisë ka vijuar edhe gjatë vitit 2025, me një rritje ekonomike prej 3,6% për gjashtëmujorin e parë të vitit. Kjo ecuri pasqyron kontributin e disa faktorëve, ndër të cilët gjej me vend të nënvizoj gjendjen e mirë financiare të sektorit privat, klimën pozitive të besimit dhe kushtet e favorshme të financimit.”

Ai paralajmëroi se kërkesa e lartë e brendshme ka sjellë rritje të importeve, ndërsa eksportet janë përballur me vështirësi:

“Rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, ngadalësimi i tregtisë botërore dhe kostot e larta të prodhimit kanë ndikuar negativisht në performancën e eksporteve.”

Sejko theksoi se rritja ekonomike është përqendruar kryesisht në sektorin e shërbimeve dhe ndërtimit, ndërsa tregu i punës ka përjetuar zhvillime pozitive, “Kërkesa e lartë për fuqi punëtore ka sjellë rritje të numrit të të punësuarve dhe rënie të normës së papunësisë në nivele historike. Pagat janë rritur me 8,6% në vitin 2024 dhe me 9,5% në gjysmën e parë të vitit 2025.”

Ai raportoi gjithashtu për përmirësimin e treguesve makroekonomikë duke e vënë theksin se “Inflacioni ka zbritur nga 4,8% në vitin 2023 në rreth 2,2% për vitin 2024 dhe tremujorët e parë të 2025. Eksportet totale arritën vlerën 9,1 miliardë euro në 2024, të nxitura kryesisht nga turizmi që kapën 5 miliardë euro. Remitancat dhe investimet e huaja direkte kanë vijuar të rriten, duke arritur përkatësisht 1 miliard euro dhe 1,6 miliardë euro.”

Duke folur për pozicionin e jashtëm të vendit, Sejko nënvizoi se, “Borxhi i jashtëm ra në 40,5% të PBB-së në tremujorin e dytë të 2025, nga 46,2% në fund të vitit 2023. Rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë janë afruar në nivelin e 7 miliardë eurove, duke rritur sigurinë për investitorët e huaj.”

Ai informoi se Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë masa për të ruajtur stabilitetin monetar.

“Ne ndërmorëm dy ulje të normës bazë të interesit, duke e zbritur atë nga niveli 3,25% në fillim të vitit, në 2,75% në fund të vitit 2024 dhe në 2,5% në muajin korrik 2025. Paralelisht me të, intensifikuam blerjet e valutës në tregun vendas, duke tërhequr thuajse 914 milionë euro gjatë vitit 2024 dhe duke vijuar me ritme të ngjashme edhe gjatë vitit 2025.”

Sipas tij, sektori bankar ka ruajtur stabilitetin dhe ka përmirësuar treguesit e shëndetit financiar:

“Cilësia e kredisë vijoi të përmirësohet dhe treguesi i kredive me probleme zbriti në 4%, duke shënuar nivelet më të ulëta që prej vitit 2008. Kapitalizimi arriti nivele të larta rreth 20%, likuiditeti mbeti mbi kërkesat rregullatore, ndërsa analizat tona sugjerojnë nivele të kontrolluara të rreziqeve sistemike.”

Në lidhje me operimin në skemat SEPA, Sejko theksoi se, “Kjo pritet të sjellë kursime të konsiderueshme për ekonominë shqiptare. Sistemi AIPS Euro i Bankës së Shqipërisë ka kursyer rreth 140 milionë euro që nga nisja e tij në janar 2022.”

“Perspektiva e zhvillimeve ekonomike mbetet pozitive, me pritshmërinë që rritja e qëndrueshme të sjellë përmirësim të punësimit, pagave dhe mirëqenies, si dhe inflacion të ulët dhe konsolidim të ekuilibrave makroekonomikë. Megjithatë, tensionet gjeopolitike dhe sfidat strukturore kërkojnë reforma të mëtejshme në fusha si arsimi, shëndetësia, infrastruktura, klima e biznesit dhe investimet strategjike.”

Ai përfundoi duke theksuar rëndësinë e procesit të integrimit evropian si udhërrëfyes për agjendën e reformave dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme