50 vite mes pëlhurave dhe pasionit, Gjovalin Prendi mban traditën e mjeshtërve të vjetër të Shkodrës

Sociale | 1 vit më parë

Gjovalin Prendi, 69 vjeç është një ndër rrobaqepësit më të vjetër dhe më të njohur në qytetin e Shkodrës. Me një përvojë që i kalon pesë dekadat, ai e nisi këtë zanat që në moshën 15-vjeçare, kur dashuria për punën me duar dhe kujdesi për detajin e shtynë të ulej për herë të parë përpara makinës së qepjes. Që prej asaj kohe, puna me pëlhurat, masat dhe modelet është bërë pjesë e pandashme e jetës së tij.

“Te kjo tavolinë kam punuar për 30 vjet, më pas mora një dyqan me qira”, u shpreh Prendi.

Në dyqanin e vogël në “Gjuhadol”, ku aroma e stofit dhe tingulli i makinës së vjetër të qepjes mbushin ambientin, Gjovalini vijon çdo ditë të punojë me të njëjtin përkushtim si dikur. Ai ruan ende me fanatizëm pajisjet e para të punës  makinat, gërshërët dhe metrat që i ka përdorur në rininë e hershme. Sekreti i zanatit të rrobaqepësit është intuita, tregon Gjovalini.

“Ky zanat kërkon dhe intuitë”, tha ai.

Të rinjtë nuk e përqafojnë më këtë zanat, shprehet Gjovalini, i cili thotë se është brezi i fundit i rrobaqepësve meshkuj në qytet. Me kalimin e viteve, ai ka qepur me mijëra kostume, xhaketa e veshje të tjera, duke u bërë dëshmitar i ndryshimeve të modës dhe shijeve të njerëzve. Ai mbetet një shembull i gjallë i mjeshtërisë tradicionale, që bashkon pasionin e rinisë me përvojën e viteve.

Gazetar: M. Rakaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme