NATO vlerëson presidenten Osmani – Nderohet me Çmimin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar me Çmimin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë nga Asambleja Parlamentare e NATO-s, një vlerësim ndërkombëtar që i jepet grave liderë për rolin e tyre në forcimin e paqes dhe demokracisë. Në ceremoninë zyrtare, Osmani u shpreh se ky çmim i dedikohet popullit të Kosovës dhe veçanërisht grave që kanë qenë pjesë kyçe në rrugëtimin e vendit drejt lirisë.
“Ky është një nder i veçantë që e ndaj me të gjitha gratë e Kosovës, që me guxim dhe përkushtim ndihmuan në ndërtimin e paqes”, tha ajo gjatë fjalës së saj.
Presidentja kujtoi edhe gratë që morën pjesë në protesta, në luftë dhe në themelimin e institucioneve pas konfliktit. Ajo përmendi nënat që ende presin lajme për të afërmit e tyre të zhdukur, si dhe të mbijetuarat që nuk hoqën dorë kurrë nga kërkimi i drejtësisë. Osmani tha se ky çmim është edhe për vajzat e reja që sot ecin përpara me vizion dhe vetëbesim.
Ajo theksoi se paqja dhe demokracia në Kosovë janë ndërtuar mbi sakrificën e grave që nuk u dorëzuan. Çmimi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë jepet çdo vit për personalitete që kanë ndikuar ndjeshëm në fuqizimin e gruas në shoqëri. Vlerësimi për Vjosa Osmanin u konsiderua si një njohje e rolit të saj në rajon për promovimin e barazisë dhe të drejtave të njeriut.
Me këtë çmim, ajo renditet mes emrave që kanë kontribuar përtej kufijve të vendit të tyre. Sipas Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Osmani është shembull i lidershipit demokratik dhe i përkushtimit ndaj paqes. Ky vlerësim konsiderohet edhe si një mesazh për rëndësinë që kanë gratë në ndërtimin e një bote më të sigurt dhe më të drejtë.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




