Zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Lista Serbe ankesë në Kushtetuese

Kosovë | 1 vit më parë

Zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, ka nxitur sërish reagimin e Listës Serbe. Kjo e fundit ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës një ankesë në lidhje me zgjedhjen e Rashiqit, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e Punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.

Në ankesën e saj, Lista Serbe kërkon vendosjen e një mase të përkohshme, me qëllim të ndalimit të veprimeve që i konsideron antikushtetuese.

Nenad Rashiqi u zgjodh me 71 vota pro, 9 kundër, dhe 24 abstenime si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, duke zgjidhur kështu ngërçin  institucional që kishte zgjatur për 8 muaj.

Zgjedhja e tij u bë pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe, ndonëse u hodhën nga tri herë në votim, nuk morën votat e nevojshme.

Rashiq ishte kandidati i vetëm i mbetur në garë, pasi në votimet e mëparshme asnjëri nga nëntë kandidatët e Listës Serbe nuk arriti të marrë mbështetjen e nevojshme nga deputetët. Kandidatët që nuk kaluan votimin përfshijnë deputetët Igor Simiq, Srdjan Popoviq, Stefan Kovaçeviq, Branislav Nikoliq, Miljana Nikoliq, Verica Çeraniq, Ljiljana Stefanoviq, Zlatan Elek dhe Slavko Simiq.

Rashiqi nuk u propozua nga Lista Serbe, e cila vazhdimisht ka kundërshtuar përfaqësimin e tij si pjesë e komunitetit serb në institucione. Megjithatë, në mungesë të një kandidature tjetër të pranuar nga Kuvendi, ai u përfshi në votim dhe u zgjodh.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme