Stina e vjeshtës “rikthen” leximin, në prag të Panairit të përvitshëm, rritet interesi për librat

Sociale | 1 vit më parë

Me ardhjen e vjeshtës, leximi merr një ngjyrim krejt tjetër. Është koha kur ritmi i ditës ngadalësohet, ngjyrat marrin nuanca të buta dhe qetësia e stinës bëhet ftesë për t’u zhytur në faqet e librave. Për shumë lexues, kjo është periudha më e dashur për të rikthyer kontaktin me kryeveprat e letërsisë botërore dhe shqiptare.

Në një kohë kur rrugët mbulohen nga gjethet e arta, dëshira për të lexuar është rritur ndjeshëm, duke u reflektuar edhe në interesin më të madh ndaj autorëve të vlerësuar ndërkombëtarisht.

Mes titujve më të lexuar, këtë stinë, është edhe vepra e fituesit të fundit të Çmimit Nobel për Letërsinë, ndërsa popullaritet të madh po fiton edhe romani “Një ditë tjetër” i Mira Kazhanit, që po zgjon interes të gjerë tek publiku vendas.

“Edhe moti të lë hapësirë më tepër për të lexuar. Presim akoma më shumë me Panairin përpara, me titujt e rinj që dëshira e lexuesve të jetë sikurse ishte në verën që lamë pas. Kam zgjedhur tre titujt që janë më të preferuar. I pari është “Tangoja e Satanait”, që disa ditë më parë u shpall edhe fitues i Nobelit për Letërsi 2025. Titulli i dytë është “Një ditë tjetër” nga Mira Kazhani, preferohet pasi jemi në muajin rozë. Dhe titulli tjetër është “Keqkuptimi” nga Ledia Xhoga“, shprehet punonjësja e bibliotekës.

Ky ritëm i gjallë leximtarësh vjen në një periudhë të veçantë, pasi jemi në prag të Panairit të Librit, një nga ngjarjet më të rëndësishme të jetës kulturore në vend, që çdo vit mbledh lexues, shkrimtarë dhe botues në një festë të fjalës së shkruar.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme