A duhet ndryshuar shpesh Kodi Zgjedhor? PS dhe PD përplasen për reformën zgjedhore. “Venecia”: Është i dëmshëm!
Në tryezën e diskutimit mbi Reformën Zgjedhore, zhvilluar në kuadër të konferencës “30 vite partneritet dhe progres”, përfaqësues të Këshillit të Europës dhe të Komisionit të Venecias, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, theksuan nevojën për stabilitet ligjor, gjithëpërfshirje dhe reforma që nuk diktohen nga interesa afatshkurtra politike.
“Në Shqipëri, si në disa vende të tjera të Evropës, reforma zgjedhore shpesh ndodh pas zgjedhjeve, për të justifikuar rezultatin. Kjo nuk është mënyra për të ndërtuar besim në sistem. Nevojitet një reformë e qëndrueshme, e shkëputur nga logjika e krizave,” tha përfaqësuesi i Këshillit të Europës, Pablo Hispan.
“Stabiliteti i ligjit zgjedhor është thelbësor. Si në futboll, nuk mund të ndryshosh rregullat para çdo ndeshjeje. Askush nuk do ta kuptonte çfarë ndodh dhe askush nuk do t’i besonte rezultatit. E njëjta logjikë vlen edhe për zgjedhjet,” u shpreh përfaqësuesi i Komisionit të Venecias, Oliver Kask.
“Reforma nuk duhet të jetë vetëm produkt i vëzhgimit, por proces i pronësuar nga vetë vendi. Ajo duhet të përfshijë të gjitha palët, të ketë prioritetet e qarta dhe progresin ta bëjë të matshëm. ODIHR do të jetë aty për të ndihmuar, sapo të nisë puna zyrtare e grupit,” deklaroi Ulvi Akhundlu nga ODIHR-i.
Nga ana e tij, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, kërkoi një reformë të shpejtë dhe thelbësore. Sipas tij, nëse Kodi i ri Zgjedhor miratohet brenda një viti ka premisa për përmirësimin e standardit të zgjedhjeve të ardhshme.
“Reforma Zgjedhore duhet të përmbyllet brenda një viti. Është premisë e mirë për standardin e zgjedhjeve të ardhshme,” tha z. Celibashi.
Damian Gjiknuri nga radhët e Partisë Socialiste theksoi rëndësinë e dialogut dhe përfshirjes së barabartë të opozitës në komisionin e reformës zgjedhore, duke shpresuar që Shqipëria të mos mbetet më “pacient i përhershëm” i Komisionit të Venecias.
“Shpresojmë që ne të mos jemi pacientë të pashërueshëm të Komisionit të Venecias, por të kemi një regjim stabël,” deklaroi z. Gjiknuri.
Nga ana tjetër, Oerd Bylykbashi nga Partia Demokratike e kritikoi sistemin zgjedhor aktual si të padrejtë dhe të ndërtuar për të favorizuar njërën palë, duke kërkuar një reformë gjithëpërfshirëse dhe transparente që garanton konkurrencë të barabartë për të gjitha partitë.
“Ne sot kemi një sistem zgjedhor që duhet hequr në mënyrë urgjente. Është kthyer në një nga elementet më toksike në raport me demokracinë dhe pluralizmin shqiptar,” u shpreh z. Bylykbashi.
Pritet që së shpejti Kuvendi të miratojë komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore, duke nisur kështu punën drejt përgatitjes së ndryshimeve të nevojshme.
Gazetare: Rugova Dunisha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




